Politikë

Shefi i NATO-s: Rusia dhe Kina nuk duhet të kenë qasje në ekonominë dhe infrastrukturën ushtarake të Grenlandës

"Kundërshtari ynë kryesor është Rusia dhe, natyrisht, shohim se Kina po forcohet masivisht", paralajmëron Mark Rutte

Melike Pala  | 22.01.2026 - Përdıtësım : 22.01.2026
Shefi i NATO-s: Rusia dhe Kina nuk duhet të kenë qasje në ekonominë dhe infrastrukturën ushtarake të Grenlandës

Bruksel

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksoi se aleanca do të ndërmarrë hapa për të parandaluar Rusinë dhe Kinën që të kenë qasje në ekonominë ose infrastrukturën ushtarake të Grenlandës, raporton Anadolu.

Duke folur në një aktivitet anësor "Mëngjesi ukrainas" gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Rutte vuri në pah rëndësinë strategjike të Arktikut dhe Grenlandës në kontekstin e sigurisë së NATO-s.

Sa i përket Grenlandës, "ne do të sigurohemi që kinezët dhe rusët të mos kenë qasje" në ekonominë e Grenlandës apo në aspektin ushtarak, dhe kjo do të jetë një diskutim që do të vijojë mbi bazën e asaj që ndodhi të mërkurën e kaluar, kur Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe Zëvendëspresidenti JD Vance zhvilluan bisedime me delegacionin danez, tha ai.

Rutte nënvizoi se mbrojtja e Grenlandës është pjesë e një strategjie më të gjerë të NATO-s për të siguruar Veriun e Lartë. Shtatë vendet e Arktikut - Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Danimarka, Islanda, Suedia, Finlanda dhe Norvegjia - duhet të bashkëpunojnë për të mbrojtur rajonin nga ndikimi rus dhe kinez.

"Sigurisht, e gjithë kjo nuk ka të bëjë vetëm me Grenlandën apo Arktikun. Para së gjithash, bëhet fjalë për mënyrën se si mund të mbrohemi nga kundërshtarët tanë. Kundërshtari ynë kryesor është Rusia dhe, natyrisht, shohim se Kina po forcohet masivisht", tha ai.

Rutte dhe Trump u takuan të mërkurën në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror, mes tensioneve të fundit mes Evropës dhe SHBA-së lidhur me Grenlandën. Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, e përshkroi takimin si "shumë produktiv".

Më pas, Trump deklaroi në platformën e tij Truth Social se ishte krijuar një kornizë për një marrëveshje të mundshme që përfshin Grenlandën dhe rajonin më të gjerë të Arktikut.

"Në bazë të këtij mirëkuptimi, nuk do të vendos tarifat që ishin planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt", shtoi ai.

Javën e kaluar, Trump njoftoi se Washingtoni do të vendosë tarifa prej 10 për qind për mallrat nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda duke filluar nga 1 shkurti, të cilat do të rriten në 25 për qind në qershor, nëse nuk arrihet një marrëveshje për "blerjen e plotë dhe totale të Grenlandës".

Trump ka shfaqur interes për Grenlandën për shkak të pozicionit të saj strategjik në Arktik, burimeve të pasura minerare dhe shqetësimeve për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon.

Danimarka dhe Grenlanda kanë refuzuar me vendosmëri çdo propozim për shitjen e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.