Seanca e Kuvendit të Kosovës vazhdon pa opozitën, arrestohen disa deputetë
Me vendimin e Kryesisë së Kuvendit bazuar në Kushtetutë dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, siç thuhet në tri njoftimet e dërguara nga Kuvendi i Kosovës, nga seanca e sotme plenare janë përjashtuar 23 deputetë të opozitës

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – Pas tri ndërprerjeve të seancave të Kuvendit të Kosovës gjatë paradites, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës nga deputetët e opozitës e cila vazhdon kundërshtimin e koalicionit aktual qeverisës, punimet e Kuvendit kanë vazhduar pasdite, por pa prezencën e opozitës, raporton Anadolu Agency (AA).
Me vendimin e Kryesisë së Kuvendit bazuar në Kushtetutë dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, siç thuhet në tri njoftimet e dërguara nga Kuvendi i Kosovës, nga seanca e sotme plenare janë përjashtuar 23 deputetë të opozitës, ku sipas Kuvendit, kanë thyer rregullat e sjelljes dhe kanë penguar zhvillimin normal të seancës.
Përderisa në sallë vazhdonte seanca parlamentare, deputetët e përjashtuar të opozitës qëndronin në hollin e Kuvendit dhe nuk lejoheshin nga sigurimi i Kuvendit që të futeshin brenda. Në radhët e para përball sigurimit që qëndronte tek shkallët që dërgojnë në sallën e Kuvendit, qëndronin liderët e tri partive opozitare, duke kërkuar vendimin e shkruar për përjashtimin dhe moslejimin e tyre për të hyrë në sallë.
Në fakt, në seancën e pasdites mori pjesë një deputet i vetëm i opozitës, Ilir Deda nga Vetëvendosja i cili iu drejtua pozitës parlamentare, secilit deputet veç e veç, duke thënë se Kosova është duke shkuar në rrugë të gabuar dhe se të gjithë duhet të mendojnë mirë për veprimet e veta para se të ndodh diçka më e keqe.
"Përgjegjësinë dhe turpin për ndonjë viktimë eventuale të këtij tensionimi politik", deputeti Ilir Deda tha se do ta bartin të gjithë 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, pa dallim.
Megjithatë, sipas tij, përgjegjësinë më të madhe për tejkalimin krizës e ka shumica parlamentare dhe në fund e kritikoi zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi për fjalorin e tij të përdorur ditë më parë pas protestës së 17 shkurtit, duke e quajtur si fjalor që e përçanë popullin.
Gjithashtu kanë reaguar përfaqësuesit e pozitës, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, përfaqësuesi i PDK-së, Enver Hoxhaj duke insistuar se koalicioni qeveritar në parlament ka qëndrim për dialog, por që ai dialog, sipas tyre, duhet të bëhet në Kuvend, me debat dhe pa gaz lotsjellës.
Lidhur me ngjarjet dhe kaosin e sotëm në Kuvend ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, duke thënë se "është i neveritur nga veprimet e deputetëve të opozitës, në veçanti të liderëve të VV-së, Nismës dhe AAK-së, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës".
Ai tha se Kosova ka probleme të mëdha që duhen zgjedhur, siç janë papunësia, korrupsioni dhe liberalizimi i vizave.
Lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit, Policia e Kosovës deri tani ka arrestuar 5 deputetë të opozitës : Shqipe Pantinën, Pal Lekajn, Donika Kadaj Bujupin, Teuta Haxhiun dhe Mytaher Haskukën.
Aktualisht, seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon sipas rendit të ditës, ndërsa deputetët e opozitës janë shpërndarë, ndërsa kanë paralajmëruar protestën e madhe më 27 shkurt.
Po ashtu , me shpërndarjen e deputetëve të opozitës janë shpërndarë edhe protestuesit që gjatë tërë ditës kanë qëndruar para Kuvendit.