Politikë

Ruçi: Kuvendi fillon sesionin e ri si një institucion funksional

Punimet e sesionit të ri i hapi kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i cili gjatë fjalës së tij u ndal në punën e sesionit të kaluar dhe prioritetet e sesionit të ri parlamentar

Fatjon Cuka  | 02.09.2019 - Përdıtësım : 03.09.2019
Ruçi: Kuvendi fillon sesionin e ri si një institucion funksional

Tiranë

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në seancën e hapjes së sesionit të ri parlamentar të legjislaturës së nëntë, duke miratuar programin e punës për muajt në vazhdim, raporton Anadolu Agency (AA).

Punimet e sesionit të ri i hapi kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i cili gjatë fjalës së tij u ndal në punën e sesionit të kaluar dhe prioritetet e sesionit të ri parlamentar.

"Kuvendi mbylli sesionin e kaluar dhe fillon sesionin e ri si një institucion funksional, me kuorum kushtetues e shumicë të kualifikuar për të miratuar çdo akt ligjor. Kjo edhe në sajë të përgjegjësisë kombëtare, kushtetuese e politike të deputetëve të rinj të opozitës, të cilët meritojnë mirënjohjen e shoqërisë e qytetarëve. Kuvendi përballoi me dinjitet sfida të jashtëzakonshme dhe unike. Demokracia liberale, si asnjëherë gjatë tri dekadave, u provua si demokraci kushtetuese dhe vetë konstitucionalizmi si themeli solid i saj", theksoi Ruçi.

Duke folur për prioritetet e sesionit të ri parlamentar, kryeparlamentari Ruçi, theksoi se prioriteti i parë do të jetë përmbyllja e reformës zgjedhore dhe përfshirja e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, sipas tij, përfshirë rekomandimet për zgjedhjet e 30 qershorit.

"Reforma zgjedhore do të jetë një produkt konsensual i Kuvendit edhe me opozitën jashtëparlamentare. Mbrojtja e Kushtetutës sot është garancia e Shqipërisë nesër. Reforma në drejtësi do të vazhdojë, duke synuar përfundimin e ngritjes, plotësimit dhe bërjes funksionale të institucioneve të reja të qeverisjes së sistemit", u shpreh kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.

Ruçi më tej theksoi se kontrolli parlamentar do të intensifikohet e fuqizohet nëpërmjet seancave dëgjimore me institucionet e pavarura.

Kujtojmë se gjatë sesionit të kaluar parlamentar, në muajin shkurt të këtij viti, deputetët e partive opozitare, Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), vendosën dorëzimin e mandatave parlamentare, ndërsa insistojnë në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Disa nga mandatet e deputetëve u zëvendësuan nga lista shumëemërore, ndërsa partitë opozitare organizuan për disa muaj protesta në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın