Politikë

Rreth 260 gazetarë denoncojnë kufizimet izraelite që “heshtin vëzhgimin e pavarur”

- Ata theksojnë se kufizimet izraelite përbëjnë një bllokadë si “humanitare” ashtu edhe “informative”, ndërsa ajo që po ndodh në Gaza tregon një “errozion të lirisë së shtypit si një shtyllë e demokracisë”

İlayda Çakırtekin  | 04.08.2025 - Përdıtësım : 04.08.2025
Rreth 260 gazetarë denoncojnë kufizimet izraelite që “heshtin vëzhgimin e pavarur”

Istanbul

STAMBOLL (AA) - Rreth 260 gazetarë dhe organizata mediatike kanë denoncuar kufizimet e vendosura nga Izraeli ndaj mediave, që sipas tyre “heshtin vëzhgimin e pavarur”, duke nënshkruar peticionin Liria për të Raportuar, transmeton Anadolu.

“Gati 200 gazetarë, në shumicë dërrmuese palestinezë, janë vrarë gjatë raportimit nga Gaza. Ndërkohë, gazetarët e huaj vazhdojnë të ndalohen nga hyrja në territor, të bllokuar nga kufizimet izraelite që heshtin vëzhgimin e pavarur”, thuhet në letrën e hapur të gazetarëve.

Ata theksojnë se kufizimet izraelite përbëjnë një bllokadë si “humanitare” ashtu edhe “informative”, ndërsa ajo që po ndodh në Gaza tregon një “erozion të lirisë së shtypit si një shtyllë e demokracisë”.

“Të mbrosh qasjen e medias në Gaza do të thotë të mbrosh idealin demokratik se e vërteta nuk është pronë e të fuqishmëve. Nëse dështojmë të veprojmë, i japim sinjal botës se e vërteta mund të menaxhohet, se faktet mund të mbahen të fshehura kur janë të papërshtatshme”, thuhet më tej në letër.

Gazetarët paralajmëruan se nëse vazhdon bllokada e mediave, edhe e vërteta mund të mbyllet në kohë lufte, si dhe theksojnë se “heshtja tashmë ka filluar të mbizotërojë”.

“Autoritarizmi lulëzon kur bota shmang shikimin dhe sa më gjatë që Gaza mbetet e izoluar, aq më shumë bllokadat globale të shtypit bëhen normë”, theksojnë ata, duke shtuar se liria e mediave “nuk është opsionale”.

“Kjo nuk është aktivizëm. Kjo është gazetari dhe është urgjente. Zgjedhja që kemi përpara është e thjeshtë, të mbrojmë të drejtën për të raportuar ose të lejojmë erozionin e saj, një kufi i mbyllur pas tjetrit”, përfundon letra.

Nënshkruesit përfshijnë gazetarë nga vende të ndryshme si SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Brazili, Belgjika, Norvegjia, Spanja, Afrika e Jugut, Portugalia dhe Turqia.

Liria për të Raportuar (Freedom to Report) është një nismë e koordinuar me qendër në Norvegji, e ndërmarrë nga gazetarë në vijën e parë nga redaksitë kryesore në mbarë botën.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.