Politikë

Rosatom: Putini merr masa shtesë për sigurinë e stafit rus në centralin bërthamor Bushehr të Iranit

Kreu i korporatës shtetërore bërthamore ruse Rosatom, Likhachev tha se presidenti Putin ka ndërmarrë hapa shtesë për të garantuar sigurinë e stafit rus në centralin bërthamor Bushehr në Iran

Burç Eruygur  | 13.03.2026 - Përdıtësım : 13.03.2026
Rosatom: Putini merr masa shtesë për sigurinë e stafit rus në centralin bërthamor Bushehr të Iranit

Stamboll

Kreu i korporatës shtetërore bërthamore Rosatom të Rusisë, Alexey Likhachev tha sot se presidenti Vladimir Putin ka ndërmarrë hapa shtesë për të garantuar sigurinë e stafit rus në centralin bërthamor Bushehr në Iran, transmeton Anadolu.

Gjatë një konference të përbashkët për mediat me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi në Moskë, Likhachev tha se ata diskutuan gjerësisht për situatën në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Iran, dhe se ai e informoi shefin e IAEA-së për atë që po ndodh aktualisht në centralin bërthamor Bushehr.

Likhachev theksoi se Putini është "i përfshirë ngushtë" në këtë çështje dhe se ata i raportojnë rregullisht atij për situatën si në aspektin e sigurisë ashtu edhe të evakuimit në vend, si dhe në lidhje me perspektivat për zhvillimin e prodhimit dhe ndërtimit në objekt.

"Mund të them se presidenti ka ndërmarrë disa hapa për të siguruar më tej sigurinë e të dy shokëve tanë në stacion dhe të konvojeve tona, të cilat kishin për qëllim evakuimin e njerëzve nga vendi", tha ai pa dhënë më shumë detaje.

Ai shtoi se Rosatom nuk ka patur kurrë ose nuk ka asnjë informacion në lidhje me armët bërthamore në Iran. "Deri më tani, kuptoj që përveç deklaratave politike, nuk është dhënë asnjë provë tjetër", tha ai.

Në një deklaratë të mëparshme, Rosatom tha se Likhachev dhe Grossi zhvilluan raund tjetër konsultimesh në një format ndërdepartamental, i cili përfshinte edhe diskutime mbi situatën përreth centralit bërthamor Zaporizhzhia.

Të mërkurën, Likhachev tha për gazetën korporative "Strana Rosatom" se edhe 150 specialistë të tjerë nga centrali i Bushehrit u evakuuan natën e 10 dhe 11 marsit dhe se rreth 450 anëtarë të personelit rus janë ende në central për momentin.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.