Putin: Sulmet ndaj urave në rajonet Bryansk dhe Kursk tregojnë se Ukraina nuk dëshiron paqe
“Të gjitha krimet që u kryen kundër civilëve... në prag të raundit të ardhshëm të bisedimeve të paqes që propozuam në Stamboll, sigurisht që kishin për qëllim prishjen e procesit të negociatave”, tha presidenti rus

Istanbul
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se sulmet ndaj urave në rajonet kufitare javën e kaluar tregojnë se Ukraina nuk dëshiron të arrijë paqe, transmeton Anadolu.
Shtatë persona u vranë dhe më shumë se 110 u plagosën pasi dy ura rrugore u shembën në rajonet Bryansk dhe Kursk gjatë natës më 31 maj, gjë që Komiteti Hetues i Rusisë e përcaktoi të martën si “sulm terrorist" të kryer “me urdhër të regjimit të Kievit”.
Ukraina as nuk e ka konfirmuar dhe as nuk e ka mohuar përfshirjen në sulme.
Gjatë një takimi me zyrtarë qeveritarë, Putin riafirmoi qëndrimin e Rusisë mbi sulmet në Bryansk dhe Kursk si “akt terrorist” bazuar në “të gjitha normat ndërkombëtare”, duke theksuar se vendimet për t’u angazhuar në veprime të tilla “u morën në Ukrainë në nivel politik”.
“Të gjitha krimet që u kryen kundër civilëve... në prag të raundit të ardhshëm të bisedimeve të paqes që propozuam në Stamboll, sigurisht që kishin për qëllim prishjen e procesit të negociatave”, tha Putin, duke pretenduar se civilët ishin “qëllimisht në shënjestër”.
Presidenti rus akuzoi qeverinë e Ukrainës se po shndërrohet “gradualisht” “në një organizatë terroriste” dhe tha se partnerët e Kievit po bëhen “bashkëpunëtorë të terroristëve”, duke thënë se ajo ka filluar të ndërmarrë veprime të tilla “në sfondin e humbjeve të mëdha, duke u tërhequr përgjatë gjithë vijës së kontaktit luftarak, duke u përpjekur të frikësojë Rusinë”.
“Si mund të mbahen takime të tilla në këto kushte? Për çfarë duhet të flasim? Kush po negocion me ata që mbështeten te terrori, me terroristët?”, tha Putin në lidhje me propozimin e Ukrainës për të zbatuar një armëpushim pa kushte përpara një takimi të mundshëm të udhëheqësve.
Ai shtoi se refuzimi i Ukrainës ndaj propozimit të Rusisë për një armëpushim të pjesshëm prej dy deri në tri ditësh “nuk e habit” Moskën.
“Nuk na habit, por vetëm na bind se regjimi i sotëm i Kievit nuk ka nevojë fare për paqe”, shtoi ai.
Autoritetet ukrainase nuk i janë përgjigjur komenteve të Putinit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.