Politikë

Presidenti kroat: Një pjesë e lidershipit izraelit e “përbërë nga kriminelë”

- "Izraeli po ndjek një politikë kriminale dhe ne nuk duhet të kemi të bëjmë fare me një shtet të tillë, sepse një pjesë e lidershipit të tij përbëhet nga kriminelë", tha Milanoviq

Burak Bir  | 18.06.2025 - Përdıtësım : 19.06.2025
Presidenti kroat: Një pjesë e lidershipit izraelit e “përbërë nga kriminelë”

Londër

LONDËR (AA) - Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka deklaruar se një pjesë e lidershipit izraelit është e “përbërë nga kriminelë” dhe se Izraeli po ndjek një “politikë kriminale” me mbështetjen e SHBA-së, transmeton Anadolu.

"Izraeli po ndjek një politikë kriminale dhe ne nuk duhet të kemi të bëjmë fare me një shtet të tillë, sepse një pjesë e lidershipit të tij përbëhet nga kriminelë", u tha Milanoviq gazetarëve në kryeqytetin kroat Zagreb.

Siç raportoi portali i lajmeve Veçernji, Milanoviq tha se Izraeli "mund të bëjë çfarë të dojë, e ka bërë këtë për dekada" dhe sipas tij Kroacia nuk duhet të ketë të bëjë fare me një shtet të tillë dhe një lidership të tillë shtetëror.

"Është thjesht një politikë kriminale që nuk çon askund dhe që për fat të keq ka mbështetjen e Washingtonit", tha ai.

Ai gjithashtu theksoi se Kroacia duhet ta njohë Palestinën.

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga e premtja, kur Izraeli nisi sulme ajrore ndaj shumë lokacioneve në të gjithë Iranin, duke përfshirë strukturat ushtarake dhe bërthamore, pas çka Teherani nisi sulme hakmarrëse.

Të paktën 585 persona janë vrarë dhe 1.326 të tjerë janë plagosur në Iran që kur Izraeli nisi sulmet.

Autoritetet izraelite, nga ana tjetër, thanë se të paktën 24 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur që atëherë në sulmet me raketa iraniane.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.