Presidenti i Kinës thekson rolin qendror të OKB-së në bisedë telefonike me homologun brazilian
Deklaratat e Xi Jinpingut vijnë pasi presidenti amerikan Trump tha se "Bordi i Paqes" për Gazën "mund" ta zëvendësojë OKB-në
Stamboll
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, të premten theksoi rolin qendror të Kombeve të Bashkuara gjatë një bisede telefonike me presidentin e Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, transmeton Anadolu.
"Përballë peizazhit ndërkombëtar të trazuar, Kina dhe Brazili, si anëtarë të rëndësishëm të Jugut Global, duhet të qëndrojnë me vendosmëri në anën e duhur të historisë, të mbrojnë më mirë interesat e përbashkëta të të dy vendeve dhe të Jugut Global, si dhe së bashku të mbështesin pozitën qendrore të Kombeve të Bashkuara dhe drejtësinë e barazinë ndërkombëtare" tha Xi, sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, në platformën sociale të kompanisë amerikane X.
Deklaratat e liderit kinez erdhën pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në fillim të kësaj jave tha se "Bordi i Paqes" i tij për Gazën "mund" ta zëvendësojë OKB-në.
Të premten e kaluar, Shtëpia e Bardhë njoftoi formimin e bordit për të "luajtur një rol thelbësor në zbatimin" e 20 pikave të planit të Trumpit për t'i dhënë fund përgjithmonë luftës së Izraelit në Gaza dhe për rindërtimin e enklavës, si dhe për "ofrimin e mbikëqyrjes strategjike, mobilizimin e burimeve ndërkombëtare dhe sigurimin e llogaridhënies ndërsa Gaza kalon nga konflikti drejt paqes dhe zhvillimit".
Trump e prezantoi zyrtarisht bordin të enjten, duke mbajtur një ceremoni nënshkrimi në Davos të Zvicrës.
Trump ka ftuar shumë liderë të huaj dhe disa shtete t'i bashkohen bordit, përfshirë edhe Kinën. Pekini nuk mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Davos.
Ai gjithashtu shprehu angazhimin e Pekinit për të qenë "gjithmonë një mik dhe partner i mirë i vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve".
Pekini është i gatshëm të "avancojë në mënyrë gjithëpërfshirëse bashkëpunimin me përfitim të ndërsjellë" në fusha të ndryshme me Brazilin dhe të synojë zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, tha Xi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
