Presidenti francez refuzon një rend ndërkombëtar të bazuar në marrëdhënie “suzeran-vasal”
I pyetur nëse dyshon për “një lloj përplasjeje pushteti me amerikanët”, Macron nuk u pajtua, duke theksuar se mbështet plotësisht një vizion të diplomacisë së pavarur, të bazuar në sovranitet, respekt dhe multilateralizëm
Stamboll
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se nuk beson në një rend ndërkombëtar të ndërtuar mbi një marrëdhënie “suzeran-vasal”, transmeton Anadolu.
“Dua të shmang një përçarje ndërkombëtare dhe nuk besoj në një rend ndërkombëtar që reduktohet në një marrëdhënie suzeran-vasal”, u tha Macron gazetarëve gjatë vizitës së tij në Indi.
I pyetur nëse dyshon për “një lloj përplasjeje pushteti me amerikanët”, Macron nuk u pajtua, duke theksuar se mbështet plotësisht një vizion të diplomacisë së pavarur, të bazuar në sovranitet, respekt dhe multilateralizëm.
- Macron i kërkon kryeministres italiane të ndalojë komentet për vendet e tjera
Macron reagoi edhe ndaj deklaratave të kryeministres italiane, Giorgia Meloni, në platformën amerikane X, ku ajo dënoi vrasjen e aktivistit nacionalist Quentin Deranque, i cili vdiq pas përleshjeve midis grupeve të majta dhe të djathta ekstreme në Lyon.
Meloni e cilësoi vdekjen e tij si “një plagë për gjithë Evropën”.
Sipas BFMTV-së, Macron i kërkoi Melonit të ndalojë “komentimin mbi atë që ndodh në vende të tjera”.
“Secili të merret me punët e veta”, shtoi ai.
11 persona janë arrestuar në kuadër të hetimeve për “vrasje me dashje” lidhur me rastin. Macron theksoi se mbetet “jashtëzakonisht i kujdesshëm”, ndërsa hetimet vazhdojnë.
“Asnjë grup që ushtron dhunë nuk ka legjitimitet në Republikë”, deklaroi ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
