Politikë

Presidenti francez në shtator do të njoftojë njohjen zyrtare të shtetit palestinez në OKB

- “Besnik ndaj angazhimit historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, unë kam vendosur që Franca të njohë Shtetin e Palestinës”, tha Macron

Necva Taştan Sevinç  | 24.07.2025 - Përdıtësım : 24.07.2025
Presidenti francez në shtator do të njoftojë njohjen zyrtare të shtetit palestinez në OKB

Istanbul

STAMBOLL (AA) - Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se në muajin shtator do të njoftojë zyrtarisht njohjen e Shtetit të Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB), transmeton Anadolu.

“Besnik ndaj angazhimit historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, unë kam vendosur që Franca të njohë Shtetin e Palestinës”, tha Macron në platformën sociale X.

Macron theksoi urgjencën e përfundimit të konfliktit në Gaza dhe të ofrimit të ndihmës për civilët e prekur nga lufta.

“Prioriteti urgjent sot është që lufta në Gaza të përfundojë dhe që popullsia civile të shpëtohet”, shtoi ai.

Ai gjithashtu tha se “paqja është e mundur”, si dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të gjithë pengjeve dhe ndihmë humanitare në shkallë të gjerë.

Macron gjithashtu theksoi nevojën për të “siguruar demilitarizimin e Hamasit për të siguruar dhe rindërtuar Gazën”.

Sipas presidentit francez, qëllimi duhet të jetë “ndërtimi i Shtetit të Palestinës, sigurimi i qëndrueshmërisë së tij dhe mundësimi i tij, duke pranuar demilitarizimin e tij dhe duke njohur plotësisht Izraelin, për të kontribuar në sigurinë e të gjithëve në Lindjen e Mesme”.

“Nuk ka alternativë”, tha Macron, duke theksuar se populli francez dëshiron paqe dhe se arritja e saj kërkon një përpjekje bashkëpunuese midis izraelitëve, palestinezëve dhe partnerëve ndërkombëtar.

“Populli francez dëshiron paqe në Lindjen e Mesme. Varet nga ne, francezët, së bashku me izraelitët, palestinezët dhe partnerët tanë evropianë dhe ndërkombëtar, të provojmë se kjo është e mundur”, tha ai.

Ai gjithashtu tha se e përcolli vendosmërinë e tij për të vazhduar përpara në një letër drejtuar presidentit të Autoritetit Palestinez, duke përmendur “angazhimet që më janë bërë nga presidenti i Autoritetit Palestinez”.

“Besim, qartësi dhe angazhim. Ne do të arrijmë paqen”, theksoi Macron.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.