Presidenti Erdoğan vlerëson solidaritetin e Senegalit me Palestinën, e quan "shembull për shumë vende"
“Lufta jonë do të vazhdojë deri sa të marrë fund gjenocidi në Gaza dhe ata që dënojnë fëmijët e pafajshëm me uri dhe vdekje të mbahen përgjegjës”, tha presidenti turk pas një takimi me kryeministrin senegalez

Istanbul
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan vlerësoi qëndrimin e Senegalit kundër shtypjes izraelite, duke thënë se solidariteti i tyre me popullin palestinez është një shembull për shumë vende, raporton Anadolu.
“Lufta jonë do të vazhdojë deri sa të marrë fund gjenocidi në Gaza dhe ata që dënojnë fëmijët e pafajshëm me uri dhe vdekje të mbahen përgjegjës”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me kryeministrin e Senegalit, Ousmane Sonko.
Erdoğan tha se marrëdhëniet e Turqisë me Senegalit, një vend kyç dhe vëllazëror në kontinentin afrikan, vazhdojnë të zhvillohen.
Ai shtoi se gjatë konsultimeve të sotme, me Sonkon diskutuan mundësitë e bashkëpunimit, kryesisht në investime dhe tregti, si dhe në siguri, industri mbrojtëse, luftë kundër terrorizmit, energji, miniera, transport, bujqësi dhe peshkatari.
Presidenti turk vuri në dukje se Ankaraja synon ta rrisë vëllimin tregtar me Senegalin fillimisht në 1 miliard dollarë dhe në fund deri në 3 miliardë dollarë.
Ndërkaq, Sonko lavdëroi mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë, duke e përshkruar si një vend vëllazëror që gjithmonë ka qenë në krah të Senegalit.
Duke theksuar industrinë e fuqishme mbrojtëse të Turqisë, ai tha se marrëdhëniet dypalëshe po përmirësohen vazhdimisht.
Sonko gjithashtu shprehu mirënjohje për Erdoğanin, të cilin e quajti si njëri nga të paktët liderë që ka kundërshtuar gjenocidin e Izraelit në Gaza.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.