Politikë

Osmani: Procesi zgjedhor do të ndikojë në imazhin e vendit para BE-së

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, vizitoi KSHZ-në ku theksoi rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor "më të mirë të mundshëm në historikun e proceseve zgjedhore"

Abdula Berısha   | 21.01.2020
Osmani: Procesi zgjedhor do të ndikojë në imazhin e vendit para BE-së

Shkup

Zv/kryeministri për çështje evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka vizituar Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për të ndjekur përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që janë planifikuar të mbahen më 12 prill, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën për media, zv/kryeministri Osmani tha se takimi ka për qëllim që të koordinojë aktivitetet e KSHZ-së dhe qeverisë për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike.

Duke rikujtuar se Bashkimi Evropian (BE) nuk arriti konsensusin për të marrë një vendim për fillim të bisedimeve, Osmani theksoi rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor "më të mirë të mundshëm në historikun e proceseve zgjedhore", pasi sipas tij, kjo do të ndikojë në imazhin e Maqedonisë së Veriut para vendeve të BE-së.

"Ajo çfarë do të bëjmë ne prej sot, si qeveri teknike, por edhe si institucione, si komisione të ndryshme, që kemi përgjegjësi për organizimin e procesit zgjedhor, do të ndikojë drejtpërdrejt në imazhin, në përshtypjen që do e krijojmë te të gjitha vendet e BE-së, përfshirë te ata që janë më hezituese, përfshirë edhe ata të cilët ndonjëherë kërkojnë edhe një alibi të vogël për të vazhduar ose për të penguar këtë proces", tha Osmani.

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski, gjithashtu theksoi përgjegësinë e të gjitha institucioneve në procesin zgjedhor, duke shtuar se zgjedhjet duhet të jenë të përsosura dhe nuk duhet të lënë hapësirë për argumente.

"Para nesh ekziston një periudhë në të cilën të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces duhet të marrin përgjegjësinë tonë ndaj vetvetes, qytetarëve dhe shtetit, si dhe ta kryejnë këtë proces me të vërtetë në mënyrën më të përsosur. Të mos japim alibi dhe argument për askënd, që të thotë se zgjedhjet ishin të këtilla ose të atilla, por të jetë një procedurë normale në të cilën qytetarët ushtrojnë të drejtën e tyre të votës", tha Derkoski.

Gjatë një takimi të liderëve partiak të thirrur në muajin tetor të vitit të kaluar nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ata u dakorduan që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 12 prill.

Sipas ligjeve të vendit, 100 ditë para datës së mbajtjes së zgjedhjeve, respektivisht më 3 janar, është formuar qeveria teknike e cila ka për detyrë të zbatojë zgjedhjet.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın