Politikë

Në letrën drejtuar kryeministrit norvegjez, Trump thotë se nuk ndihet më i detyruar të mendojë vetëm për paqen

Presidenti amerikan Trump i tha kryeministrit norvegjez se nuk ndihet më i detyruar të përqendrohet ekskluzivisht te paqja ndërsa përsëriti kërkesën e tij për kontroll të SHBA-së mbi Grenlandën

Necva Taştan Sevinç  | 19.01.2026 - Përdıtësım : 19.01.2026
Në letrën drejtuar kryeministrit norvegjez, Trump thotë se nuk ndihet më i detyruar të mendojë vetëm për paqen

Stamboll

Presidenti amerikan Donald Trump i ka thënë kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Store se nuk ndihet më i detyruar të përqendrohet ekskluzivisht te paqja, ndërsa përsëriti kërkesën e tij për kontroll të SHBA-së mbi Grenlandën, transmeton Anadolu.

Në një letër dërguar Store, Trump përmendi dështimin e Norvegjisë për t'i dhënë Çmimin Nobel për Paqe dhe tha se kjo ka ndikuar në qasjen e tij ndaj çështjeve ndërkombëtare.

"I dashur Jonas: Meqenëse vendi juaj vendosi të mos më japë Çmimin Nobel për Paqe për ndalimin e 8 luftërave plus, nuk ndiej më detyrim të mendoj thjesht për paqen, megjithëse ajo do të jetë gjithmonë dominuese, por tani mund të mendoj për atë që është e mirë dhe e përshtatshme për SHBA-në", tha Trump në letrën e tij dërguar kryeministrit norvegjez.

Mesazhi u bë publik për herë të parë nga korrespondenti i huaj i PBS NewsHour, Nick Schifrin, dhe më vonë u konfirmua nga zyra e kryeministrit norvegjez. Në të njëjtin mesazh, Trumpi vuri në dyshim sovranitetin e Danimarkës mbi Grenlandën dhe mbrojti idenë se ishulli nuk mund të mbrohet nga Rusia ose Kina pa përfshirjen e SHBA-së.

"Danimarka nuk mund ta mbrojë këtë tokë nga Rusia ose Kina. Bota nuk është e sigurt nëse nuk kemi kontroll të plotë dhe total të Groenlandës", shtoi ai.

Store i tha NRK-së se letra erdhi në përgjigje të një mesazhi të përbashkët që ai i kishte dërguar më parë Trumpit së bashku me presidentin finlandez Alexander Stubb, duke kundërshtuar planet e Washingtonit për të vendosur tarifa më të larta ndaj Norvegjisë, Finlandës dhe vendeve të tjera.

"Ne theksuam nevojën për të çtensionuar shkëmbimin dhe kërkuam një telefonatë midis presidentit Trump, presidentit Stubb dhe meje", tha Store. Ai vuri në dukje se qëndrimi i Norvegjisë për Grenlandën mbetet i pandryshuar.

"Grenlanda është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës dhe Norvegjia e mbështet plotësisht Mbretërinë e Danimarkës në këtë çështje", tha ai duke shtuar se Oslo mbështet përpjekjet e NATO-s për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në Arktik.

Store hodhi poshtë pretendimin e Trumpit në lidhje me Çmimin Nobel për Paqe, duke vënë në dukje se ai jepet nga Komiteti i Pavarur Norvegjez i Nobelit, jo nga qeveria norvegjeze.

Trumpi më vonë përsëriti retorikën e tij për Grenlandën në kompaninë e tij të mediave sociale Truth Social, duke shkruar se "tani është koha" për të adresuar atë që ai e përshkroi si kërcënime sigurie në Arktik.

Grenlanda, një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës, ka tërhequr prej kohësh interesin e SHBA-së për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe burimeve të mëdha minerale si dhe shqetësimeve të dyshuara në lidhje me rritjen e aktivitetit rus dhe kinez.

Trumpi tha të shtunën se Washingtoni do të vendosë tarifa prej 10 për qind për mallrat nga tetë vende evropiane, përfshirë Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Holandën dhe Finlandën, nga 1 shkurti, duke u rritur atë në 25 për qind në qershor, për kundërshtimin e tyre ndaj kontrollit amerikan të Grenlandës dhe dërgimit të një numri të vogël personeli në territorin autonom.

Tetë vendet evropiane në përgjigje lëshuan deklaratë të përbashkët të dielën, duke denoncuar kërcënimin amerikan dhe duke riafirmuar angazhimin e tyre për sigurinë e Arktikut.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.