Politikë

Ministrat evropianë dënojnë ofensivën e re të Izraelit në Gaza

- Ministrat e Jashtëm nga Islanda, Irlanda, Luksemburgu, Norvegjia, Sllovenia dhe Spanja dënojnë njoftimin e Tel Avivit për të vendosur prani të përhershme në qytetin e Gazës

Necva Taştan Sevinç  | 29.08.2025 - Përdıtësım : 30.08.2025
Ministrat evropianë dënojnë ofensivën e re të Izraelit në Gaza

Istanbul

STAMBOLL (AA) - Ministrat e Jashtëm të Islandës, Irlandës, Luksemburgut, Norvegjisë, Sllovenisë dhe Spanjës dënuan me forcë sot ofensivën e fundit të Izraelit në Rripin e Gazës dhe njoftimin e tij për të vendosur prani të përhershme në qytetin e Gazës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat paralajmëruan se intensifikimi i operacioneve ushtarake do të vinte në rrezik jetën e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe do të shkaktonte vdekje "të patolerueshme" të civilëve, përfshirë gratë, fëmijët dhe të moshuarit.

Ata denoncuan zhvendosjen me forcë të palestinezëve, duke e quajtur atë "shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar".

"Shkatërrimi sistematik i infrastrukturës thelbësore civile, përfshirë vendet që shërbejnë si strehim për civilët e zhvendosur jashtëzakonisht të prekshëm, është i papranueshëm", thuhet në deklaratë.

Ata i bënë thirrje Izraelit të përmbushë detyrimet e tij humanitare dhe të lejojë agjencitë e OKB-së dhe OJQ-të të ofrojnë ndihmë në shkallë të gjerë në Gaza.

Gjithashtu u shpreh shqetësim për zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe rritjen e dhunës nga kolonët e paligjshëm izraelitë, duke theksuar se këto zhvillime dëmtojnë perspektivat për zgjidhje me dy shtete.

"Bashkësia ndërkombëtare nuk do të heshtë përballë shkeljeve të të drejtave të njeriut", thanë ministrat, duke kërkuar armëpushim të përhershëm, lirimin e pengjeve dhe qasje të papenguar në ndihmat humanitare në të gjithë Gazën.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın