Merkel garanton liderin libian për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë
"Në javët dhe muajt e ardhshëm ne do të shohim një proces tranzicioni këtu nga një qeveri në tjetrën. Por mund të garantoj se Libia do të vazhdojë të jetë ndër përparësitë kryesore të Gjermanisë", tha Merkel

Berlin
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka garantuar liderin libian se qeveria e re e Gjermanisë do të vazhdojë përpjekjet e saj për pajtimin politik të Libisë dhe për zhvillimin ekonomik të këtij vendi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kreun e Këshillit Presidencial të Libisë, Mohamed al-Mendi, i cili qëndron për vizitë në Berlin, kancelarja Merkel tha se Libia do të vazhdojë të jetë ndër përparësitë kryesore të politikës së jashtme të Gjermanisë pas formimit të qeverisë së re gjermane.
"Në javët dhe muajt e ardhshëm ne këtu do të shohim një proces tranzitor nga një qeveri në tjetrën. Por mund të garantoj se Libia do të vazhdojë të jetë ndër përparësitë kryesore të Gjermanisë. Do të kemi vazhdimësi në këtë drejtim. Ne do të donim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me ju", tha Merkel.
Merkel theksoi se një zgjidhje politike e konfliktit në Libi ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për vendin, por edhe për gjithë kontinentin afrikan.
Ajo përsëriti kërkesën e saj për tërheqjen e trupave të huaja dhe mercenarëve nga Libia dhe tha se me rëndësi është të garantohet se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të mbahen më 24 dhjetor. Ajo po ashtu premtoi angazhimin e vazhdueshëm të Gjermanisë në zhvillimin dhe stabilitetin ekonomik të Libisë.
Kancelarja në largim e Gjermanisë luajti një rol udhëheqës në zgjidhjen e konfliktit në Libi duke organizuar një samit të liderëve në vitin 2020, ndërsa qeveria e saj vazhdoi nismën e saj diplomatike për ta çuar përpara procesin e bashkimit dhe pajtimit politik të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara (OKB) në vend.
Pas zgjedhjeve të muajit të kaluar në Gjermani, Merkel po heq dorë nga politika aktive, por ajo do të mbetet në postin e saj si kancelare derisa të formohet një qeveri e re koalicioni.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.