KSHZ publikon rezultatet paraprake për zgjedhjet e mbajtura dje në Maqedoninë e Veriut
Dje në Maqedoninë e Veriut u zhvillua votimi për kryetar komunash në 44 komuna dhe në Qytetin e Shkupit

Shkup
Në faqen zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) të Maqedonisë së Veriut janë publikuar rezultatet paraprake për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajt dje, raporton Anadolu Agency (AA).
Votimi për kryetar komunash u zhvillua në 44 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, pasi në raundin e parë të mbajtur më 17 tetor u zgjodhën kryetarët e 34 komunave të tjera.
Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KSHZ, VMRO-DPMNE-ja opozitare ka fituar në 20 komuna, duke përfshirë qytetet e rëndësishme si Ohri dhe Manastiri.
Gjithashtu, garën për kryetar të qytetit të Shkupit e fitoi kandidatja e pavarur Danella Arsovska e mbështetur kryesisht nga VMRO-DPMNE.
Gjithnjë sipas rezultateve paraprake, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) në pushtet fitoi në 7 komuna, aq sa ka edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), gjithashtu në pushtet.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa fitoi në 3 komuna, ndonëse në njërën prej tyre, respektivisht në Dibër, do të ketë raund të dytë pasi dje kishte përsëritje të votimit për raundin e parë në përputhje me vendimin e Gjykatës Administrative.
Në dy komuna kanë fituar kandidatë të pavarur, ndërsa në dy tjera ka fituar Lëvizja BESA. Përpos kësaj, nga një komunë kanë fituar: Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), Partia Liberaldemokrate (LDP) dhe Opsioni Qytetar për Maqedoninë (GROM).
Nëse rezultateve paraprake të raundit të dytë ia shtojmë rezultatet përfundimtare të raundit të parë, rezulton që VMRO-DPMNE-ja opozitare ka fituar gjithsej 42 komuna, ndërsa LSDM-ja 16 komuna.
Për shkak të këtyre rezultateve, kryetari i LSDM-së, njëherësh kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, mbrëmë në një konferencë për media deklaroi se jep dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe nga posti partiak, duke theksuar se merr përgjegjësinë për "rezultatet jo të mira në këto zgjedhje".
Ndërkohë, dje nuk është votuar për kryetar komune në dy komuna për shkak se nuk është plotësuar pragu ligjor për votim në raundit të parë të zgjedhjeve për të dalë të paktën një e treta e votuesve të regjistruar.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) do ta informojë Qeverinë për këto dy komuna, e më pas në Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë do të organizohet përsëritja e votimit për kryetar komune në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Këto ishin zgjedhjet e shtata lokale në Maqedoninë e Veriut në të cilat u zgjodhën udhëheqësit e rinj lokalë për katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2017.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.