Kryqi i Kuq: 204 milionë njerëz jetojnë në zona të kontrolluara ose të kontestuara nga grupet e armatosura
"Rreth 204 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë tani në zona të kontrolluara ose të kontestuara nga grupe të armatosura, 30 milionë më shumë se në vitin 2021", tha Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq
Gjenevë
Rreth 204 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë tani në zona të kontrolluara ose të kontestuara nga grupe të armatosura, 30 milionë më shumë se në vitin 2021, tregojnë gjetjet e reja të publikuara sot nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), transmeton Anadolu.
Nga këta, 74 milionë janë nën kontrollin e plotë të grupeve të armatosura ndërsa 130 milionë jetojnë në zona të kontestuara, tha KNKK në një deklaratë. Hartëzimi i organizatës për vitin 2025 identifikon 383 grupe të armatosura me shqetësim humanitar në mbi 60 vende. Më shumë se një e treta janë palë në konflikt të armatosur dhe të detyruara nga e drejta ndërkombëtare humanitare.
KNKK tha se mban kontakt me rreth tre të katërtat e këtyre grupeve për të negociuar aksesin, për të ofruar ndihmë dhe për të promovuar respektin për civilët.
"Këto shifra konfirmojnë atë që kemi vëzhguar për disa vite. Tani shumica e grupeve të armatosura nuk janë aktorë të përkohshëm, por të rrënjosur thellë në territoret ku veprojnë", tha në një deklaratë Matthew Bamber-Zryd, këshilltar i KNKK-së për grupet e armatosura.
"Por, pasiguria, kufizimet kundër terrorizmit dhe burimet e kufizuara pengojnë gjithnjë e më shumë dialogun e qëndrueshëm. Njohja e këtyre realiteteve, kush çfarë kontrollon për sa kohë dhe kufizimet nën të cilat angazhohemi, është thelbësore nëse duam të arrijmë te njerëzit që jetojnë në zonat më të prekura nga dhuna", shtoi ai.
Hulumtimet në terren nga Kameruni, Iraku dhe Filipinet midis viteve 2024 dhe 2025 nxorën në pah luftën e përditshme në zonat e kontestuara, tha KNKK-ja ku civilët përballen me ndryshimin e autoritetit dhe kanë frikë nga hakmarrjet.
Prishjet në shërbimet thelbësore rrisin më tej rreziqet. Në shumë territore të kontestuara, as autoritetet shtetërore dhe as grupet e armatosura nuk ofrojnë në mënyrë të besueshme kujdes shëndetësor, arsim ose dokumentacion civil, thekson KNKK-ja. Pa dokumente, njerëzit kanë vështirësi të lëvizin, të kenë akses në shërbime ose të provojnë identitetin e tyre, duke i lënë ata më të prekshëm ndaj abuzimit dhe përjashtimit.
Qasja humanitare mbetet e vështirë, pavarësisht gatishmërisë së shumë grupeve të armatosura për t'u angazhuar. Sfidat variojnë nga pasiguria te kufizimet ligjore dhe administrative të vendosura nga shtetet, shtoi ajo.
"Në shumë zona të kontestuara, rënia e shërbimeve bazë do të thotë që njerëzit mbijetojnë përmes shkathtësisë së tyre dhe rrjeteve sociale", tha Arjun Claire, këshilltari i lartë politik i KNKK-së.
"Shtetet dhe grupet e armatosura nuk mund të zhvillojnë luftërat e tyre në kurriz të civilëve. Kontrolli i kontestuar nuk do të thotë detyrime të kontestuara. Kontrolli i territorit sjell përgjegjësi për të mbrojtur ata që jetojnë atje, jo licencë për t'i shënjestruar ata", shtoi ai.
Organizata u bën thirrje të gjitha palëve të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar, të mbrojnë civilët dhe të lehtësojnë aksesin e paanshëm humanitar.
