Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë ka pritur një delegacion nga Parlamenti i Kosovës
Meta deputetëve nga Kuvendi i Kosovës i’u ka shprehur mbështetjen e tij për intensifikimin e shkëmbimeve mes dy komisioneve homologe parlamentare në shërbim të rritjes së fluksit të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve

Tiranë
TIRANË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta priti sot një grup përfaqësuesish të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Meta deputetëve nga Kuvendi i Kosovës i’u ka shprehur mbështetjen e tij për intensifikimin e shkëmbimeve mes dy komisioneve homologe parlamentare në shërbim të rritjes së fluksit të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa si dhe anëtarët e tjerë shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen e pakursyer të Kuvendit të Shqipërisë ndaj zhvillimit ekonomik e social të Kosovës dhe konfirmuan vullnetin për rritjen e bashkëpunimit ndërparlamentar me qëllim lehtësimin e fluksit të shkëmbimeve mes dy vendeve.
Meta në fjalën e tij theksoi se: “Shqipëria dhe Kosova duhet të funksionojnë si një treg i përbashkët dhe të kthehen në një shembull i heqjes së barrierave burokratike për të gjithë rajonin”.
Në këtë kuadër, Meta u shpreh se Kuvendi inkurajon intensifikimin e përpjekjeve të përbashkëta mes dy qeverive respektive në funksion të rritjes së shkëmbimeve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.