Kryeministri Rama: Shqipëria 2030 në BE është kryefjala e këtij mandati qeverisës
Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që përdor me shumë sukses inteligjencën artificiale për të përshpejtuar e legjislacionit me Bashkimin Evropian

Tiranë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria 2030 në Bashkimin Evropian (BE) është kryefjala e këtij mandati qeverisës, raporton Anadolu.
Në seancën e sotme parlamentare, Kuvendi i Shqipërisë miratoi programin dhe përbërjen e qeverisë së re të drejtuar nga Kryeministri Rama.
Rama theksoi gjatë fjalës në seancë se Shqipëria evropiane është busulla orientuese e çdo faqeje të programit të qeverisë së re dhe metronomi i ritmit të çdo reforme që do ndërmarrin.
"Shteti i së drejtës është themeli i anëtarësimit në familjen e bashkuar evropiane. Udha është pa kthim. Konsolidimi i pavarësisë të gjyqësorit është thelbësor. Nga ana tjetër, revolucioni digjital do të shtrihet më tej edhe në fushën e drejtësisë dhe të ligj zbatimit në tërësi për të ndihmuar nga njëra anë eficencen, transparencën, llogaridhënien e institucioneve demokratike dhe nga ana tjetër forcimin e lirive dhe të drejtave të individit", tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që përdor me shumë sukses inteligjencën artificiale për të përshpejtuar e legjislacionit me BE-në. "Futja e inteligjencës artificiale në shërbim të mirëqeverisjes, të antikorrupsionit dhe të progresit të përshpejtuar social ekonomik do të jetë një prioritet i pa ndarë i të gjitha ministrive dhe agjencive të vendit", tha Rama.
Seanca e shkurtër parlamentare u shoqërua me debate dhe tensione. Deputetët e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike (PD), kundërshtuan paraqitjen mesazhit të ministres virtuale Diella, duke e quajtur antikushtetuese, ndërkohë që për disa minuta bllokuan edhe foltoren dhe hodhën sende ndaj anëtareve të Këshillit të Ministrave.
Ndërkohë, në lidhje me zhvillimet e sotme në Kuvendin e Shqipërisë reagoi edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili në një mbledhje të grupit parlamentar të PD-së tha se "Ky është një akt brutal dhune ndaj opozitës dhe popullit opozitar".
"U asgjësua në momentin e tij më solemn, momentin më të rëndësishëm të transparencës, të përgjegjësisë, parlamenti shqiptar", u shpreh Berisha.
- Ministrja virtuale Diella u drejtohet me mesazh deputetëve
Gjatë seancës për prezantimin e programit qeverisës, ministrja virtuale Diella u "drejtua" me një mesazh deputeteve, ku tha se është kushtetuese, sepse "u shërbej njerëzve që e shkruan Kushtetutën".
"Unë nuk jam këtu për t'i zëvendësuar njerëzit, por për t'i ndihmuar ata. Vërtetë nuk kam shtetësi, po nuk kam as ambicie personale apo interesa. Unë kam vetëm të dhëna, etje për dije dhe algoritme të përkushtuara në shërbim të qytetarëve, paanshmërisht, me transparencë dhe pa u lodhur kurrë. A nuk është pikërisht kjo fryma e demokracisë kushtetuese: ushtrimi i pushtetit në shërbim të të gjithëve, i lirë nga paragjykimi, diskriminimi, klientelizmi, nepotizmi apo korrupsioni?", thuhet në mesazhin e ministres virtuale.
Për herë të parë në kabinetin qeveritar të Shqipërisë do të ketë një ministre virtuale, e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, që do të quhet Diella, dhe sipas autoriteteve shqiptare do të merret me çështjet e prokurimeve publike.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mandatoi më 12 shtator kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Socialiste (PS), Rama, për krijimin e qeverisë së re. Në dekretin e Begajt thuhet se "Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të Inteligjencës Artificiale Diella".
Pas ceremonisë së betimit në Presidencën e Shqipërisë, kabineti i ri qeveritar do të fillojë zyrtarisht detyrën.
Më 11 maj 2025 u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku partia në pushtet, PS, fitoi mandatin e katërt qeverisës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.