Politikë

Kryediplomatja e BE-së: Izraeli pranon "masa domethënëse" për përmirësimin e situatës humanitare në Gaza

Masat përfshijnë rritje të ndjeshme të numrit të kamionëve me ushqime dhe artikuj joushqimorë që hyjnë në Gaza, hapjen e pikave të reja kufitare në veri dhe në jug të enklavës, si dhe rihapjen e rrugëve të ndihmës përmes Jordanisë dhe Egjiptit

Necva Taştan Sevinç  | 10.07.2025 - Përdıtësım : 11.07.2025
Kryediplomatja e BE-së: Izraeli pranon "masa domethënëse" për përmirësimin e situatës humanitare në Gaza

Istanbul

STAMBOLL (AA) - Izraeli është angazhuar për një sërë masash urgjente humanitare për të zbutur krizën në Rripin e Gazës, pas një "dialogu konstruktiv" me Bashkimin Evropian (BE), njoftoi të shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas, transmeton Anadolu.

"Pas vendimeve të kabinetit izraelit dhe dialogut konstruktiv midis BE-së dhe Izraelit, janë rënë dakord hapa domethënës nga Izraeli për të përmirësuar situatën humanitare në Rripin e Gazës", tha Kallas.

"Këto masa janë ose do të zbatohen në ditët në vijim", tha ajo duke theksuar një mirëkuptim të përbashkët se "ndihmat në shkallë të gjerë duhet të shpërndahen drejtpërdrejtë te popullata" dhe se "do të merren masa të vazhdueshme për të siguruar që ndihmat të mos devijohen drejt Hamasit".

Masat përfshijnë një rritje të ndjeshme të numrit të kamionëve ditor me ushqime dhe artikuj jo ushqimorë që hyjnë në Gaza, hapjen e pikave të reja kufitare si në veri ashtu edhe në jug të enklavës si dhe rihapjen e rrugëve të ndihmës përmes Jordanisë dhe Egjiptit.

Veprime të tjera kyçe përfshijnë "mundësimin e shpërndarjes së furnizimeve ushqimore përmes furrave të bukës dhe kuzhinave publike në të gjithë Rripin e Gazës", "rifillimin e furnizimit me karburant për nevoja humanitare, deri në nivelin e nevojshëm operacional", si dhe lehtësimin e punimeve për rikthimin e infrastrukturës kritike, si energjia për një impiant për desalinizimin e ujit.

Kallas theksoi rëndësinë e mbrojtjes së punonjësve humanitarë, duke shtuar se "mbrojtja e punonjësve të ndihmës" është ndër masat që do të zbatohen. "BE-ja është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë aktorët humanitarë përkatës, agjencitë e OKB-së dhe organizatat joqeveritare në terren, për të siguruar zbatimin e shpejtë të këtyre hapave urgjent", tha ajo.

"BE-ja përsërit thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe mbështet përpjekjet aktuale të Egjiptit, Katarit dhe SHBA-së si ndërmjetës", shtoi kryediplomatja evropiane.

Dje, Hamasi tha se ka rënë dakord të lirojë 10 pengje të gjalla si shenjë "fleksibiliteti" për të arritur marrëveshje për armëpushim në Gaza.

Më herët, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se administrata e tij është "shumë pranë një marrëveshjeje" për armëpushim në Rripin e Gazës ndërsa negociatat indirekte midis Hamasit dhe Izraelit po zhvillohen në kryeqytetin Doha të Katarit.

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, Izraeli që nga tetori i vitit 2023 vazhdon me luftën gjenocidale në Gaza, duke vrarë të paktën 57.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, që nga tetori 2023.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën ndaj enklavës palestineze.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.