Politikë

Kryediplomati turk: ​​SHBA-ja dhe Irani duken të gatshëm për lëshime për një marrëveshje mbi programin bërthamor

Ministri Fidan tha se beson që Teherani "dëshiron vërtet të arrijë një marrëveshje të vërtetë" dhe do të pranojë kufizime në nivelet e pasurimit dhe një regjim të rreptë inspektimesh, siç bëri në marrëveshjen e vitit 2015

Kanyshai Butun  | 12.02.2026 - Përdıtësım : 12.02.2026
Kryediplomati turk: ​​SHBA-ja dhe Irani duken të gatshëm për lëshime për një marrëveshje mbi programin bërthamor

Stamboll

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha të enjten se SHBA-ja dhe Irani duken të gatshëm të bëjnë lëshime për të arritur një marrëveshje mbi programin bërthamor, transmeton Anadolu.

Sipas raportimit të "Financial Times", duke folur për median Fidan nënvizoi se Washingtoni ka sinjalizuar një gatishmëri për të qenë fleksibël në një kërkesë kyçe që Irani të ndalojë të gjithë pasurimin e uraniumit.

Fidan tha gjithashtu se beson që Teherani "dëshiron vërtet të arrijë një marrëveshje të vërtetë" dhe do të pranojë kufizime në nivelet e pasurimit dhe një regjim të rreptë inspektimesh, siç bëri në marrëveshjen e vitit 2015 me SHBA-në dhe fuqitë e tjera botërore.

"Është pozitive që amerikanët duken të gatshëm të tolerojnë pasurimin iranian brenda kufijve të përcaktuar qartë", tha Fidan. "Iranianët tani e kuptojnë se duhet të arrijnë një marrëveshje me amerikanët dhe amerikanët e kuptojnë se iranianët kanë kufizime të caktuara. Është e pakuptimtë të përpiqesh t'i detyrosh ata", shtoi ai.

Fidan shprehu mendimin se dosja mbi programin bërthamor "nuk do të ecë përpara nëse SHBA-të "këmbëngulin të adresojnë të gjitha çështjet njëkohësisht".

“Rezultati mund të jetë një luftë tjetër në rajon”, nënvizoi ai.


- Tensionet SHBA-Iran

Komentet e tij erdhën ndërsa Irani dhe SHBA-ja përgatiten për raundin tjetër të negociatave, të cilat rifilluan në Oman të premten pas një pezullimi gati tetëmujor, i cili u përshkrua si një hap i parë pozitiv nga të dyja palët.

Bisedimet fillimisht ishin planifikuar në Stamboll të Turqisë me fuqitë rajonale që merrnin pjesë si vëzhgues. Por Teherani këmbënguli që ato të mbaheshin në Oman, pasi këmbënguli që diskutimet të përqendroheshin vetëm në programin bërthamor.

Pasi priti kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se këmbënguli që “negociatat me Iranin të vazhdojnë për të parë nëse mund të arrihet apo jo një marrëveshje”.

“Nëse nuk mundet, do të na duhet të shohim se cili do të jetë rezultati”, shkroi Trump në Truth Social. “Herën e fundit Irani vendosi se ishte më mirë të mos bënte një marrëveshje, dhe u godit me operacionin 'Midnight Hammer' - kjo nuk funksionoi mirë për ta”, theksoi ai.

Fidan tha se Ankaraja dhe qeveritë e tjera rajonale po "përpiqen të zhvillojnë ide krijuese" për të trajtuar programin e raketave balistike të Iranit dhe mbështetjen për militantët, duke shtuar se ato mund të luajnë një "rol konstruktiv dhe efektiv".

"Amerikanët janë thellësisht të shqetësuar për aftësitë bërthamore të Iranit", tha ai, duke shtuar se raketat dhe ndërmjetësit ndikojnë në sigurinë rajonale, duke qenë të lidhur ngushtë me vendet fqinje.

Fidan tha se ishte i shqetësuar se Netanyahu do të kërkonte të ndikonte tek Trump gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë.

"Për Izraelin, mbajtja e një pozicioni të superioritetit ushtarak në rajon është një përparësi qendrore", tha ai duke shtuar se "Prania e raketave iraniane e ndërlikon këtë objektiv".


- "Shmangni përsëritjen e gabimeve të së kaluarës"

Fidan i kërkoi administratës Trump dhe Iranit të shmangin përsëritjen e gabimeve të së kaluarës, veçanërisht përjashtimin e shteteve rajonale nga bisedimet që çuan në marrëveshjen mbi programin bërthamor të vitit 2015.

"Do të jetë e rëndësishme për Iranin të shoqërojë çdo marrëveshje me SHBA-në me hapa që forcojnë besimin me partnerët rajonalë... se ky ekuilibër është thelbësor", tha ai. “Ekziston një hendek i konsiderueshëm besimi me vendet rajonale dhe adresimi i këtij dimensioni është thelbësor”, shtoi Fidan.

Ai tha se pas luftës shkatërruese të Izraelit vitin e kaluar dhe protestave masive kundër regjimit muajin e kaluar - më të dhunshmet dhe më vdekjeprurëset që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 - Teherani ishte i vetëdijshëm për rrezikun me të cilin përballej.

Trump ka dërguar atë që e përshkroi si një “armadë” anijesh luftarake amerikane në rajon, ndërsa po peshonte opsionet ushtarake kundër Teheranit pas protestave.

“Ata (udhëheqësit e Iranit) e kuptojnë se trazirat publike u nxitën kryesisht nga vështirësitë ekonomike”, tha ai duke shtuar “Pra, ata e dinë se çështja e sanksioneve duhet të zgjidhet”.

Ai gjithashtu paralajmëroi se sulmet amerikane nuk do të kishin gjasa të shkaktonin rrëzimin e regjimit.

“Nuk mendoj se do të ndodhë ndryshimi i regjimit”, u shpreh Fidan i cili më tej tha: “Sigurisht, organet qeveritare dhe disa objektiva të tjerë do të goditeshin keq dhe do të dëmtoheshin, do të shkatërroheshin. Por regjimi si një entitet politik do të ishte një entitet funksional”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.