Kryediplomati kazak: Kazakistani është i aftë të furnizojë SHBA-në me 20 nga 60 mineralet kritike
Kazakistani ka rezerva të konsiderueshme mineralesh, një bazë industriale të zhvilluar për përpunimin e tyre, infrastrukturë moderne, një sistem politik të qëndrueshëm dhe një mjedis rregullator të parashikueshëm, tha Kosherbayev në Washington
Stamboll
Kazakistani është i aftë të furnizojë 20 nga 60 mineralet kritike të listuara nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së si produkte të përfunduara, deklaroi ministri i Jashtëm Yermek Kosherbayev, transmeton Anadolu.
Kazakistani ka rezerva të konsiderueshme mineralesh, një bazë industriale të zhvilluar për përpunimin e tyre, infrastrukturë moderne, një sistem politik të qëndrueshëm dhe një mjedis rregullator të parashikueshëm, tha Kosherbayev në Konferencën e Parë Ministrore për Mineralet Kritike në Washington, ku mori pjesë me ftesë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, sipas një deklarate të ministrisë.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues nga më shumë se 50 vende, si dhe drejtues të kompanive minerare të Kazakistanit.
Kosherbayev shprehu gatishmërinë e vendit për të dhënë një kontribut praktik në zhvillimin e zinxhirëve globalë të furnizimit të besueshëm dhe të qëndrueshëm.
SHBA-ja dhe Kazakistani u fokusuan në zbatimin e një memorandumi mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e mineraleve kritike, të nënshkruar më 6 nëntor, pas vizitës së presidentit kazak Kassym-Jomart Tokayev në Washington, thuhet në deklaratën e ministrisë.
"Ky dokument, marrëveshja e parë e këtij lloji në Azinë Qendrore, parashikon zhvillimin e kapaciteteve të përpunimit në Kazakistan, transferimin e teknologjisë dhe zgjerimin e qasjes së produkteve kazake në tregun amerikan", thuhet më tej.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
