Politikë

Kosovë, KQZ publikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një konferencë për media, ka publikuar të dhënat rreth pjesëmarrjes në zgjedhje dhe rezultatet e subjekteve politike

Figen Shaban  | 29.06.2017 - Përdıtësım : 30.06.2017
Kosovë, KQZ publikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare Fotoreporter: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës (KQZ), publikoi sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 11 qershor 2017, ku koalicioni PAN doli fitues me 33.74 për qind të votave, kurse në vendin e dytë u rendit Lëvizja Vetëvendosje me 27.49, ndërsa në të tretin koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 25.53 për qind të votave, raporton Anadolu Agency (AA). 

Pas përfundimit të numërimit të votave me kusht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një konferencë për media, ka publikuar të dhënat rreth pjesëmarrjes në zgjedhje dhe rezultatet e subjekteve politike. 

Daka shpalosi rezultatet përfundimtare nga qendra e numërimit të rezultateve për subjektet politike duke theksuar se: “Koalicioni PAN ka gjithsej 245.646 vota apo 33.74 për qind, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje 200.138 vota apo 27.49 për qind dhe Koalicioni LDK-AKR-Alternativa 185.892 vota apo 25.53 për qind të votave”. 

Ndërkaq, sa i përket ndarjes së mandateve në Kuvend sipas subjekteve politike, koalicioni PAN ka 39 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje ka 32 dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa ka 29 deputetë.

Kandidati më i votuar në zgjedhje ishte kandidati për kryeministër i LVV Albin Kurti me 143.642 vota, ndërsa kandidati për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj mori gjithsej 101.994 dhe kandidati për kryeministër i koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti mori 115.658 vota.

Daka duke folur për statistikat e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë tha se: “Numri i votuesve të regjistruar ka qenë 1.888.059 votues, ndërsa numri i votuesve të cilët kanë votuar në secilin vendvotim ka qenë 747.229 votues. Numri i votuesve të cilët kanë votuar jashtë vendvotimit pra me kusht dhe me postë është 32.705 votues, ndërsa pjesëmarrja në votime ka qenë 41.30 për qind."

Ndërkaq, nga komunitetet joshumicë partia serbe “Lista Serbe” ka siguruar 9 ulëse dhe Partia Liberale Serbe (SLS) ka siguruar 1 deputet, ndërsa Partia Demokratike e Turqve të Kosovës (KDTP) ka siguruar 2 ulëse ku kryetari i kësaj partie dhe ministri në largim i Administratës Publike, Mahir Yağcılar dhe ish-deputetja Müferra Şinik kanë arritur ta zënë nga një ulëse për mandatin e ardhshëm.

Daka bëri të ditur se duke filluar nga data e sotme fillon afati 24 orësh për subjektet politike dhe kandidatët për të bërë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Ndryshe, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 qershor ka ardhur si rezultat i votimit për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë ku me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenime ra qeveria e formuar nga koalicioni PDK-LDK dhe Lista Serbe. Mosratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, shihet si një nga arsyet kryesore për shpërbërjen e koalicionit qeverisës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın