KOMRA: Normalizimi i sinqertë i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, parakusht për pajtim
KOMRA, komisioni rajonal për vërtetimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera në ish-Jugosllavi nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor të vitit 2001, sot në Prishtinë ka mbajtur debatin mbi pajtimin në rajon

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – KOMRA, komisioni rajonal për vërtetimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera në ish-Jugosllavi nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor të vitit 2001, sot në Prishtinë ka mbajtur debatin mbi pajtimin në rajon, ku është folur mbi atë se “Çka paraqet procesi i pajtimit në rajon?” dhe “Cili është kontributi i politikanëve të rajonit në këtë proces?”, raporton Anadolu Agency (AA).
Zharko Puhovski, profesori i njohur i filozofisë nga Universiteti i Zagrebit dhe njëri nga ideatorët e themelimit të KOMRA-së, konsideron se pajtimit ndërmjet të dy vendeve dhe shoqërive duhet t’i paraprijë normalizimi i marrëdhënieve përmes kuptimit të faktit se ky është një proces i gjatë, i vështirë dhe i cili duhet të vijë vetvetiu nga palët e përfshira në konflikt, nëse duhet edhe me ndihmën e palës së tretë, në rastin konkretë të bashkësisë ndërkombëtare, por jo të imponohet si një “dashuri e rilindur” sikurse asgjë në të kaluarën nuk ka ndodhur.
Për të bërë këtë, sipas Puhovskit, duhet kuptuar tri gjëra bazike: se lufta ka përfunduar; se ekziston mjaftë njohuri se çka ka sjell lufta, zakonisht të keqen dhe pika e tretë që është më kontestuese, si të ndahet përgjegjësia për luftën. Ai kategorikisht mohon përgjegjësin për fajësi të njëanshme sikurse që ndodh edhe tek divorci i martesave ashtu edhe në luftë, Puhovski thotë se nuk ekziston fajësia 100% e një pale dhe 0 % pafajësi e palës tjetër. Sipas tij, nëse merren për bazë këto tri parakushte atëherë mund të vendoset komunikimi bazik.
“Pra, pika e parë e cila pason është që pas luftës mund të komunikohet sërish. Në shekujt e kaluar, të jeni së bashku ka qenë mënyra e vetme për të komunikuar dhe sot kjo mund të bëhet edhe më ndryshe. Pra, duhet të vendoset komunikimi. Ajo që ndodhet ndërmjet luftës dhe pajtimit është normalizimi i vështirë dhe i përditshëm. Nëse fillimisht nuk mund të jetojmë me tjerët duhet të jemi në gjendje të jetojmë pranë njëri- tjetrit dhe të mos rrihemi. Pastaj shkojmë, hap pas hapi” thotë Puhovski.
Ai thekson se, nisur nga fakti që luftërat veprojnë bazuar në homogjenizimin e bashkësive nacionale, pajtimi në vete përmban dy elemente kontradiktore: nga njëra anë dehomogjenizimin apo vetëdijesimin se nuk janë “të gjithë ata” të njëjtë dhe nga ana tjetër, homogjenizimin e sërishëm, por tani të komuniteteve nacionale që dikur kanë qenë në luftë dhe tani nuk luftojnë, të vetëdijshme se nuk janë më në luftë.
Për Puhovskin, ky proces realizohet shumë vështirë dhe ngadalë sepse pajtimi paraqitet si problem shumë i komplikuar, ku palët duhet të jenë gjendje për të thënë se: “e dinë çka ka ndodhur, nuk do ta harrojnë kurrë atë sepse harresa sjell probleme të reja dhe pavarësisht nga ajo se çfarë ka ndodhur mbetemi fqinj dhe duhet të kontaktojmë në mënyra të ndryshme, duke filluar nga ekonomia e më tutje”.
“Ne si shoqëri civile kemi bërë shumë gjëra, por sipas definicionit ne nuk mund ta bëjmë atë që është më e rëndësishme, ne nuk kemi autorizimi që të përfaqësojmë komunitetet tona. E tëra që mund të bëjë Natasha Kandiq kur është në pyetje pajtimi është parakusht që Vuçiçi ndërmjet dhëmbëve ta thotë gjysmë fjalie e cila vlen 10 herë më shumë se gjithë ajo që thotë Natasha Kandiq. Ky është realitet politik. Ju e dini se në cilën anë janë simpatitë e mia, nuk janë në anën e Vuçiçit, por ai është personi që mund të thotë diçka në emër të Serbisë dhe jo Natasha Kandiq” tha Puhovski.
Ai ka shtuar se Kandiq dhe të tjerët nga shoqëria civile punojnë në “kontrabandimin” e temave nga margjinat në qendër të vëmendjes së opinionit publik, për t’i detyruar politikanët që të fillojnë të flasin më ndryshe për tema të caktuara, të mos ofendojnë më palën tjetër vetëm pse është “pala tjetër” dhe në fund kjo gradualisht do të sjellë normalizimin, si parakusht për pajtim.
Enver Hoxhaj, deputeti Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, është pajtuar me Puhovskin për kontributin e shoqërisë civile në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në veçanti Fondit për të Drejtën Humanitare dhe Natasha Kandiqit.
“Pajtimi është një çështje e ndjeshme, dhe çështje sa politike po aq edhe shoqërore. Është një temë emocionale dhe njerëzore, dhe individuale, prej përvojave të mia është një proces individual, por edhe një proces kolektiv” tha Hoxhaj.
Ai theksoi se përkundër përmirësimeve të dukshëm të marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit, pajtimi qëndrueshëm nuk ka ndodhur dhe duket i largët, nga situatat aktuale.
Sipas Hoxhajt, një pjesë e vendeve të Ballkanit është pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, kurse pjesa tjetër ka mbetur jashtë në përpjekje për t’u integruar dhe me gjithë përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet të shteteve dhe popujve, nga marrëdhënie armiqësore në marrëdhënie të paqes, nga një rajon jo stabil në rajon me stabilitet më të qëndrueshëm, me shkëmbim ekonomik dhe takime të rregullta të qeverive, megjithatë ndryshimi i plotë i marrëdhënieve deri tani nuk ka ndodhur.
“Për shkak të këtij procesi të pa përmbyllur, siguria në rajon është ende e brishtë dhe e pasigurt, për mendimin tim është në një ‘status quo’, po flas për pjesën politike se ky peizazh politik ndikon pa dyshim edhe në pajtimin si proces, është e gabuar të mendojmë se, nëse politika nuk lëviz përpara që pajtimi do të ndodh” konsideron Hoxhaj
Janë tri shqetësime personale të ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, lidhur me raportin e Kosovës me Serbinë dhe procesin e pajtimit ndërmjet këtyre dy vendeve.
Së pari, Hoxhajn e shqetëson mos ndryshimi i kursit të politikës armiqësore të Beogradit ndaj Kosovës, gjë kjo që ka sjell luftë dhe viktima për më shumë se një shekull.
Si shembull ai përmendi rastin e fundit me UNESCO-n, gjuhën dhe diskursin e përdorur nga Qeveria e Beogradit e cila përkundër marrëveshjeve të nënshkruara vazhdon veprimet për minimin e shtetësisë së Kosovës dhe synon ta izolojë Kosovën. Shqetësimi i dytë ka të bëjë me mungesën e gatishmërisë që, përveç pajtimit politik dhe ndërshtetëror të ketë pajtim në mes të dy shoqërive të mbështetur prej elitave politike.
Në fund, Hoxhaj përmendi shqetësimin e tij se, në fund të procesit të normalizimit përmes bisedave, nëse nuk do të ketë rezultate të ndryshimit esencial të shoqërive në Kosovë dhe Serbi, duke kuptuar në thelb qasjen evropiane dhe euroatlantike ndaj rajonit, pajtimi do të jetë i vështirë.
Hoxhaj mendon se politika e kushtëzimit që ndjek BE-ja në raport me rajonin dhe në konceptin e evropianizimit, pajtimi në të ardhmen duhet të ketë rëndësi më të madhe se sa ka aktualisht. Ai konsideron se normalizimi duhet të përfundojë me njohje diplomatike të dy vendeve, integrim të Kosovës dhe Serbisë në BE, që në fund do të rezultojë me pajtim të qëndrueshëm.
Folës në këtë debat ishin edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiq, Ardian Arifaj, këshilltari politik i zëvendëskryeministrit të parë dhe njëherësh ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçit dhe ish-funksionari i lartë i Kosovës, Azem Vllasi, njohës i mirë i rrethanave politike në Ballkan.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.