Kancelari gjerman Merz kritikon Trumpin për lehtësimin e sanksioneve të naftës ndaj Rusisë
"Vendimi i SHBA-së për të hequr përkohësisht sanksionet është i gabuar. Presioni ndaj Rusisë duhet të intensifikohet dhe jo të zbutet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë", tha Merz
Berlin
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz kritikoi sot presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për lehtësimin e përkohshëm të sanksioneve ndaj Rusisë në një kohë kur çmimet e naftës po rriten për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, raporton Anadolu.
Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Store, Merz tha se presioni ndaj Rusisë duhet të intensifikohet dhe jo të zbutet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Ne diskutuam për çështjen e furnizimit me naftë dhe gaz nga Rusia me presidentin amerikan këtë javë gjatë takimit të G7-s”, tha Merz duke iu referuar një bisede me video të mërkurën mes liderëve të G7-s.
“Kishte një konsensus shumë të qartë mes gjashtë anëtarëve të G7-s se ky nuk është sinjali i duhur për t’u dërguar. Pastaj mëngjesin e sotëm mësuam se administrata amerikane duket se e ka marrë vendimin e saj”, vazhdoi ai.
“Edhe një herë, ne besojmë se ky është hap i gabuar. Aktualisht ekziston një problem me çmimin, jo me furnizimin. Në këtë drejtim, do të doja të dija se cilat motive të tjera e çuan administratën amerikane në këtë vendim”, theksoi Merz.
