IAEA shpreh shqetësim për centralin bërthamor të Çernobilit
IAEA apelon për "përmbajtje maksimale" për të shmangur çdo veprim që mund të rrezikojë objektet bërthamore në mes të konfliktit Rusi-Ukrainë

Stamboll
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) shprehu "shqetësim të madh" të enjten për situatën në termocentralin bërthamor të Çernobilit në mes të ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).
IAEA "po ndjek situatën në Ukrainë me shqetësim të madh dhe bën thirrje për përmbajtje maksimale për të shmangur çdo veprim që mund të vërë në rrezik objektet bërthamore të vendit", tha në një deklaratë, Rafael Mariano Grossi, drejtori i përgjithshëm i agjencisë me bazë në Vjenë.
“Në përputhje me mandatin e saj, IAEA po monitoron nga afër zhvillimet në Ukrainë me një fokus të veçantë në sigurinë e termocentraleve të saj bërthamore dhe objekteve të tjera të lidhura me centralin bërthamor", thuhet në deklaratë.
Deklarata e IAEA-s erdhi pasi Ukraina njoftoi se Kievi kishte humbur kontrollin e centralit bërthamor të Çernobilit në veri të vendit pas një beteje të ashpër me forcat ruse.
Organi rregullator i Ukrainës kishte informuar më herët IAEA-në se po mban komunikime me termocentralet operative bërthamore të vendit, për të cilat tha se po funksionojnë në mënyrë të sigurt.
“Lidhur me situatën në termocentralin bërthamor të Çernobilit, Ukraina ka informuar IAEA-në se ‘forcat e armatosura të paidentifikuara’ kanë marrë kontrollin e të gjitha objekteve të Ndërmarrjes së Specializuar Shtetërore të Çernobilit NPP, të vendosura brenda Zonës së Ndalimit”, shtohet në deklaratë.
Sipas deklaratës, organi rregullator i Ukrainës tha se nuk kishte viktima apo shkatërrime në zonën industriale.
Grossi theksoi se është e një rëndësie jetike që operacionet e sigurta të objekteve bërthamore në atë zonë të mos preken apo ndërpriten në asnjë mënyrë.
Duke kujtuar vendimin e vitit 2009 të miratuar nga IAEA, ai tha se "çdo sulm i armatosur dhe kërcënim ndaj objekteve bërthamore të dedikuara për qëllime paqësore përbën një shkelje të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ligjit ndërkombëtar dhe Statutit të Agjencisë".
Të enjten, SHBA-ja dënoi raportet se forcat ruse kishin marrë peng stafin e objektit të magazinimit të mbetjeve bërthamore të Çernobilit në Ukrainë dhe bëri thirrje për lirimin e tyre.
Në vitin 1986, një aksident i njohur si katastrofa më e rëndë bërthamore në botë ndodhi në reaktorin e katërt në termocentralin bërthamor të Çernobilit, që ndodhet 16 kilometra nga qyteti Pripyat, i cili u ndërtua në vitet 1970 për të strehuar punëtorët në central, në veri të Ukrainës.