I dërguari i Trumpit: Delegacioni amerikan po kthehet nga Doha pas përgjigjes së Hamasit për armëpushimin
- “"Ne kemi vendosur të sjellim ekipin tonë në shtëpi nga Doha për konsultime pas përgjigjes së fundit nga Hamasi, e cila tregon qartë mungesën e dëshirës për të arritur një armëpushim në Gaza...”, tha Witkoff

Washington DC
WASHINGTON (AA) - I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, ka bërë të ditur se delegacioni amerikan që merr pjesë në bisedimet për armëpushim në Gaza do të kthehet në Washington për konsultime pas përgjigjes së Hamasit ndaj propozimit, transmeton Anadolu.
"Ne kemi vendosur të sjellim ekipin tonë në shtëpi nga Doha për konsultime pas përgjigjes së fundit nga Hamasi, e cila tregon qartë mungesën e dëshirës për të arritur një armëpushim në Gaza. Ndërsa ndërmjetësit kanë bërë një përpjekje të madhe, Hamasi nuk duket se është i koordinuar ose nuk vepron me mirëbesim”, shkroi Witkoff në platformën sociale X.
"Tani do të shqyrtojmë mundësi alternative për të sjellë pengjet në shtëpi dhe do të përpiqemi të krijojmë një mjedis më të qëndrueshëm për popullin e Gazës. Është turp që Hamasi ka vepruar në këtë mënyrë egoiste. Ne jemi të vendosur të kërkojmë një fund të këtij konflikti dhe një paqe të përhershme në Gaza", shtoi ai.
Nuk u bë e qartë se për cilat “opsione alternative” po i referohej Witkoff.
Më herët, Izraeli njoftoi se po e tërheq ekipin e tij negociator. Kjo ndodhi derisa Witkoff u takua në Romë me ministrin izraelit për çështje strategjike, Ron Dermer.
Sot, Hamasi konfirmoi se ka dorëzuar te ndërmjetësuesit përgjigjen e tij, së bashku me atë të fraksioneve të tjera palestineze. Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, konfirmoi marrjen e përgjigjes dhe tha se është në shqyrtim. Asnjëra palë nuk e zbuloi përmbajtjen.
Megjithatë, Channel 12 raportoi se Hamasi kërkoi lirimin e 200 palestinezëve që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm për vrasjen e izraelitëve në këmbim të 10 pengjeve të gjallë, përveç 2 mijë palestinezëve të ndaluar nga forcat izraelite në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023.
Propozimi origjinal, të cilin Izraeli thuhet se e pranoi, përfshinte lirimin e 125 të burgosurve që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm dhe 1.200 të arrestuarve në Gaza që nga fillimi i luftës.
Gazeta Israel Hayom, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar të sigurisë, tha se ushtria po përgatitet të zgjerojë operacionet e saj tokësore në Gaza pas përgjigjes së Hamasit.
Tel Avivi vlerëson se 50 pengje mbeten në Gaza, rreth gjysma e të cilëve janë gjallë. Më shumë se 10.800 palestinezë mbahen në burgjet izraelite, të nënshtruar ndaj torturës, urisë dhe neglizhencës mjekësore, gjë që ka rezultuar në shumë vdekje.
Që nga 6 korriku, negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit kanë ndodhur në Doha, të ndërmjetësuara nga Katari dhe Egjipti me mbështetjen e SHBA-së, në ndjekje të një marrëveshjeje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë në Gaza të paktën 59.500 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake gjithashtu ka shkatërruar enklavën, ka shembur sistemin shëndetësor dhe ka çuar në mungesa të mëdha ushqimore.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.