Politikë

Gjykata franceze refuzon ankesën e ish-presidentit Sarkozy për financim të paligjshëm të fushatës presidenciale

Sarkozy tani është i dënuar përfundimisht në aferën Bygmalion, pasi Gjykata e Kasacionit refuzoi apelimin e tij

İlayda Çakırtekin  | 26.11.2025 - Përdıtësım : 26.11.2025
Gjykata franceze refuzon ankesën e ish-presidentit Sarkozy për financim të paligjshëm të fushatës presidenciale

Istanbul

Gjykata e Kasacionit në Francë hodhi poshtë apelimin e Nicolas Sarkozyt në aferën “Bygmalion”, duke shpallur dënimin e tij të dytë penal përfundimtar pas çështjes së përgjimeve, transmeton Anadolu.

Sarkozy tani është i dënuar përfundimisht në aferën Bygmalion, pasi Gjykata e Kasacionit refuzoi apelimin e tij, në përputhje me rekomandimet e Avokatit të Përgjithshëm në seancën e 8 tetorit, raportoi BFMTV.

Në aferën Bygmalion, Sarkozy u dënua më 14 shkurt 2024 nga Gjykata e Apelit në Paris me një vit burg, përfshirë gjashtë muaj burg të detyrueshëm, për financim të paligjshëm të fushatës së tij të dështuar presidenciale të vitit 2012.

Ai akuzohej se kishte marrë fatura të rreme nga kompania Bygmalion, e cila drejtonte fushatën, për të fshehur shpenzimet elektorale duke i paraqitur ato si aktivitete partiake. Gjykata e Kasacionit vendosi se “financimi i paligjshëm i fushatës është provuar”.

“Në fakt, kandidati autorizoi personalisht stafin e tij të kryente shpenzime në emrin e tij, edhe pse ai e dinte se këto shpenzime do ta tejkalonin kufirin ligjor të shpenzimeve”, thuhej në vendim. Dënimi i ri përfundimtar pritet të komplikojë më tej pozitën ligjore të Sarkozyt, teksa ai përgatitet për gjyqin e apelit në çështjen libiane, që do të zhvillohet nga 16 marsi deri më 3 qershor.

Në shtator, ish-presidenti francez u dënua me pesë vjet burg për komplot kriminal në një çështje që lidhet me financimin libian të fushatës së tij zgjedhore të vitit 2007. Gjykata e gjeti Sarkozyn fajtor për komplot kriminal, por e liroi nga akuzat për korrupsion pasiv dhe financim të paligjshëm.

Pas burgosjes, avokatët e tij dorëzuan kërkesë për lirimin e tij. Një gjykatë franceze e miratoi kërkesën në pritje të apelit dhe urdhëroi lirimin e tij me mbikëqyrje gjyqësore më 10 tetor, vetëm 20 ditë pasi ai filloi të vuante dënimin në burgun “La Sante”.

Dhjetorin e kaluar, Gjykata e Kasacionit hodhi poshtë gjithashtu apelimin e tij në çështjen e përgjimeve, duke e bërë përfundimtar dënimin e tij dhe duke rezultuar në një vit arrest shtëpiak me byzylyk elektronik, i cili u hoq në maj.

Në atë çështje, ish-kreu i shtetit u shpall fajtor se në vitin 2014 kishte tentuar të korruptonte gjyqtarin e Gjykatës së Kasacionit, Gilbert Azibert, duke kërkuar informacione konfidenciale me ndihmën e avokatit të tij, Thierry Herzog.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.