Gjermania: SHBA-ja ende e përkushtuar ndaj NATO-s, pavarësisht qëndrimit të ashpër ndaj BE-së
"Bërthama e Aleancës, qëndrimi së bashku, Neni 5, është plotësisht i paprekshëm në Washington dhe Berlin", tha ministri i Jashtëm gjerman, Wadephul
Berlin
Gjermania tha sot se është e bindur se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj NATO-s, pavarësisht qëndrimit të saj të ashpër ndaj Bashkimit Evropian, transmeton Anadolu.
"Ekzistojnë deklarata shumë të qarta në strategjinë kombëtare të sigurisë lidhur me sigurinë e Shteteve të Bashkuara, të cilat lidhen me NATO-n dhe përmbajnë një përkushtim ndaj NATO-s", tha ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul për transmetuesin publik ZDF.
“Ka disa fjali në të që ngrenë pyetje këtu; kjo është krejt e qartë. Por, bërthama e Aleancës, qëndrimi së bashku, Neni 5, është plotësisht i paprekshëm në Washington dhe Berlin", tha Wadephul duke reaguar ndaj dokumentit amerikan, i cili po rrit shqetësimet në Evropë për unitetin transatlantik.
I pyetur nëse Evropa tani do të ngelet thuajse e vetme në mbështetjen e Ukrainës dhe mbrojtjen e saj, Wadephul u përgjigj: "Shtetet e Bashkuara janë shumë qartë të përkushtuara ndaj NATO-s".
Ai shtoi se çatia bërthamore mbron Evropën dhe siguron që ajo të jetë politikisht e aftë të veprojë çdo ditë. "Këshilloj që të mos vëmë në dyshim gjëra që SHBA-ja vetë nuk i vendos në dyshim", tha ai.
Dokumenti i ri i strategjisë kombëtare të sigurisë së SHBA-së, i publikuar javën e kaluar, përshkroi prioritetet e administratës së Trumpit në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Ai përqendrohet në rajonin e Indo-Paqësorit ndërsa refuzon karakterizimin e Rusisë nga qeveritë evropiane si "kërcënim ekzistencial".
Dokumenti prej 33 faqesh përfshin vërejtje kontestuese për Evropën, duke paralajmëruar për rënien ekonomike të kontinentit dhe "mundësinë reale dhe më të theksuar të zhdukjes së civilizimit" brenda 20 viteve të ardhshme. Ai kritikon qëndrimin e qeverive evropiane ndaj lëvizjeve skeptike ndaj BE-së, ekstremit të djathtë dhe atyre kundër imigracionit.
Në një largim të thellë nga dokumentet e mëparshme të strategjisë, thuhej: "Çështjet më të mëdha me të cilat përballet Evropa përfshijnë aktivitetet e Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tjera transnacionale që minojnë lirinë politike dhe sovranitetin, politikat e migracionit që po transformojnë kontinentin dhe krijojnë tensione, censurën e lirisë së shprehjes dhe shtypjen e opozitës politike, rënien e lindshmërisë dhe humbjen e identiteteve kombëtare dhe vetëbesimit".
