Gjermania dhe Sllovenia kritikojnë kryeministrin hungarez për vizitën e pakoordinuar në Rusi
"... Por ai po udhëton pa një mandat evropian dhe pa u konsultuar me ne", tha kancelari Merz në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Golob
Berlin
Kancelari gjerman, Friedrich Merz dhe kryeministri slloven, Robert Golob, i cili është në vizitë në Berlin, kanë kritikuar udhëtimin e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, në Moskë për t'u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Berlin, Merz gjithashtu kujtoi sulmet ajrore të intensifikuara ruse pas vizitës së Orbanit në Moskë në muajin korrik të vitit të kaluar, "menjëherë pasi ai mori presidencën e Këshillit Evropian".
"Kjo vizitë jo vetëm që ishte e pasuksesshme. Disa ditë pas vizitës, ushtria ruse nisi disa nga sulmet e saj më të dhunshme kundër infrastrukturës civile dhe objektivave civile në Ukrainë. Shpresoj që Rusia të mos reagojë në të njëjtën mënyrë këtë herë. Por ai po udhëton pa një mandat evropian dhe pa u konsultuar me ne", tha Merz.
- Orban nuk "luan më për ekipin evropian"
Ndërkohë, kryeministri Golob i përkrahu kritikat e kancelarit Merz, duke theksuar se kryeministri hungarez po vepron kryesisht në interes të tij.
"Kam frikë se Viktor Orban nuk po luan për ekipin evropian prej disa kohësh", tha Golob, sipas transkriptit zyrtar të konferencës për media.
"Ne nuk presim ndonjë përfitim ose avantazh nga kjo vizitë", shtoi ai.
Kryeministri hungarez viziton Moskën për të takuar presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar furnizimet me energji dhe luftën kundër Ukrainës.
Putin dhe Orban vazhdimisht kanë zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë.
Në një zhvillim të lidhur me këtë, qeveria gjermane i bëri thirrje Putinit "të ulet në tryezën" e negociatave.
"Bisedimet e paqes nuk kanë kuptim nëse ato zhvillohen vetëm nga njëra palë, Vladimir Putin duhet të bëhet pjesë aktive e këtij procesi. Kjo është ajo në të cilën po përqendrohemi", u tha gazetarëve në Berlin zv.zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Meyer.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
