Gjermania dhe Mali i Zi: Reformat kyçe në gjyqësor janë thelbësore për përparimin e Malit të Zi drejt BE-së
Wadephul vlerësoi reformat e zbatuara nga Mali i Zi, duke theksuar se Gjermania "mbetet një partner i fortë i Podgoricës" dhe se progresi i mëtejshëm duhet të mbështetet duke përmbushur detyrimet e mbetura në agjendën evropiane
Sarajevë
Gjermania mbështet fuqimisht perspektivën evropiane të Malit të Zi, por pret vazhdimin dhe përshpejtimin e reformave kyçe në fushën e sundimit të ligjit në mënyrë që vendi të mund të përparojë në negociatat e pranimit, tha kryediplomati gjerman, Johann Wadephul, gjatë një takimi në Podgoricë me Presidentin malazez, Jakov Milatoviq, raporton Anadolu.
Wadephul vlerësoi reformat e zbatuara nga Mali i Zi deri më tani, duke theksuar se Gjermania "mbetet një partner i fortë i Podgoricës" dhe se progresi i mëtejshëm duhet të mbështetet duke përmbushur detyrimet e mbetura në agjendën evropiane.
Presidenti Milatoviq tha se formimi i Gjykatës Kushtetuese, transparenca e plotë e traktateve ndërkombëtare dhe miratimi i vendimeve përfundimtare të gjykatës janë tre parakushte kryesore për vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE).
Ai tha se Mali i Zi kishte "bërë shumë në vitet e fundit dhe mbeti kandidati më i përparuar", por se si një vend në fazën përfundimtare të negociatave, duhet të përshpejtojë reformat më të rëndësishme.
Milatoviq gjithashtu theksoi se funksionimi i Gjykatës Kushtetuese ishte "me rëndësi thelbësore për sundimin e ligjit dhe rrugën evropiane", duke shtuar se Mali i Zi kishte nevojë për "njerëz me njohuri dhe integritet që do të mbronin institucionet".
Mali i Zi paraqiti kërkesën e tij për anëtarësim në BE në dhjetor 2008, mori statusin e kandidatit në dhjetor 2010 dhe hapi negociatat e pranimit më 29 qershor 2012, duke u bërë kështu vendi kandidat më i përparuar në rajon.
Mesazhet e Wadephul vijnë si pjesë e vizitës së tij disa-ditore në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës ai po viziton Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
