Politikë

Erdoğan vlerëson Trumpin për armëpushimin Iran-Izrael, kërkon nxitje të ngjashme për konfliktet në Gaza dhe Ukrainë

- "I thashë Trumpit se, duke iu referuar përpjekjeve të tij në armëpushimin Izrael-Iran, i njëjti nivel përpjekjesh pritet të ndihmojë në përfundimin e konflikteve në Gaza, si dhe në luftën Rusi-Ukrainë", tha Erdoğan

Zehra Nur Çelik  | 26.06.2025 - Përdıtësım : 26.06.2025
Erdoğan vlerëson Trumpin për armëpushimin Iran-Izrael, kërkon nxitje të ngjashme për konfliktet në Gaza dhe Ukrainë

Ankara

ANKARA (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, përshëndeti përpjekjet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të arritur një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit, raporton Anadolu.

"I thashë Trumpit se, duke iu referuar përpjekjeve të tij në armëpushimin Izrael-Iran, i njëjti nivel përpjekjesh pritet të ndihmojë në përfundimin e konflikteve në Gaza, si dhe në luftën Rusi-Ukrainë", u tha Erdoğan gazetarëve në avion gjatë kthimit nga samiti i NATO-s në Holandë.

"Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit do të shkaktonte probleme të mëdha. Ne besojmë se Irani nuk do të ndërmarrë një hap të tillë", tha presidenti turk.

Izraeli nisi sulme ajrore në disa vende në të gjithë Iranin më 13 qershor, duke përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke pretenduar se Teherani ishte në prag të prodhimit të një bombe bërthamore, një pretendim i mohuar me forcë nga Irani.

Ndërsa Irani nisi sulme hakmarrëse me raketa dhe dronë, SHBA-të iu bashkuan konfliktit duke bombarduar tre centrale bërthamore iraniane të dielën.

Pas 12 ditësh luftimesh ajrore midis dy armiqve të përbetuar rajonalë, Trump njoftoi të hënën një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit për t'i dhënë fund konfliktit të tyre.


- Lidhjet bilaterale, çështjet rajonale

"Patëm takim produktiv me mikun tim Trump, diskutuam për marrëdhëniet dypalëshe, partneriteti në NATO, çështjet rajonale dhe globale" tha ai.

"Ia përcollëm Trumpit qasjen tonë të orientuar drejt zgjidhjes, presim mbështetjen e tij. Trump iu përgjigj pozitivisht propozimeve tona" theksoi Erdoğan

"Gjatë bisedimeve me Trumpin, trajtuam çështjen e dërgesës së avionëve luftarakë F-35 në Turqi, filluan bisedimet në nivel teknik. Shpresojmë që do të bëjmë përparim" u shpreh presidenti turk.

Ndërkaq, lidhur me sistemin turk të mbrojtjes ajrore ai tha: "E kemi sjellë vendin tonë në një pikë të caktuar, por nuk jemi të kënaqur me kaq. Duhet të rrisim aftësitë tona raketore".

Lidhur me çështjet rajonale, veçanërisht Sirinë, Erdoğan theksoi se ia ka përcjellë qartë palës amerikane në të gjitha nivelet ndjeshmëritë e Turqisë, veçanërisht në lidhje me Forcat Demokratike Siriane.

Duke folur për luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, Erdoğan tha: "Kjo luftë duhet të marrë fund. Rajoni nuk mund ta tolerojë më këtë. Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme duhet të ndërtohet në rajon."

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se do të flasë me Izraelin për Gazën, tha Presidenti Erdoğan, duke shtuar se i ka thënë Macronit: "Nëse ndërmerrni këtë hap, ne do të ishim mirënjohës."

Ushtria izraelite, duke hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka ndjekur një ofensivë brutale kundër Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë mbi 56 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.