Politikë

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së censuron kongresmenen Rashida Tlaib për kritikat ndaj Izraelit

Rezoluta, e propozuar nga Republikani Rich McCormick mori shumicën e votave të Dhomës me 234 për dhe 188 kundër

Servet Günerigök  | 08.11.2023 - Përdıtësım : 08.11.2023
Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së censuron kongresmenen Rashida Tlaib për kritikat ndaj Izraelit

Washington DC

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së votoi mbrëmë për të censuruar kongresmenen republikane Rashida Tlaib për shkak të kritikave të saj ndaj Izraelit lidhur me konfliktin në Gaza, raporton Anadolu.

Rezoluta, e propozuar nga Republikani Rich McCormick, mori shumicën e votave të Dhomës me 234 për dhe 188 kundër. Njëzet e dy demokratë votuan rezolutën e republikanëve për të censuruar Tlaib ndërsa katër ligjvënës votuan "të përmbajtur".

Rezoluta akuzoi Tlaib, anëtaren e vetme palestinezo-amerikane të Kongresit, për "promovimin e narrativeve të rreme në lidhje me sulmin e Hamasit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit dhe për thirrjen për shkatërrimin e shtetit të Izraelit".

Tlaib u kritikua nga kolegët e saj republikanë dhe disa brenda partisë së saj Demokratike për shkak të komenteve të saj për qeverinë izraelite. Polemika u ndez më tej nga një video që ajo shpërndau në rrjetet sociale që përfshinte sloganin, "Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë".

Tlaib u emocionua gjatë fjalimit të saj mbrëmë në foltoren e Dhomës së Përfaqësuesve mes një debati mbi rezolutën që kërkonte censurimin e saj.

"Nuk mund ta besoj se duhet ta themi këtë, por populli palestinez nuk është një gjë që duhet harxhuar dhe zëvendësuar", tha kongresmenja që përfaqëson Miçiganin. "Ne jemi qenie njerëzore ashtu si të gjithë të tjerët".

Duke mbajtur një fotografi, të cilën ua tregoi kolegëve të saj të Dhomës, Tlaib vazhdoi: "Gjyshja ime, si të gjithë palestinezët, thjesht dëshiron të jetojë jetën e saj në lirinë dhe dinjitetin njerëzor që të gjithë e meritojmë".

"Të flasësh për të shpëtuar jetë, pa marrë parasysh besimin, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, nuk duhet të jetë një çështje e diskutueshme në këtë dhomë. Vaji i fëmijëve palestinezë dhe izraelitë nuk tingëllon ndryshe për mua. Ajo që nuk e kuptoj është pse vaji i fëmijëve palestinezë tingëllon ndryshe për të gjithë ju. Ne nuk mund ta humbim humanizmin tonë të përbashkët", shtoi ajo.

Kongresmenja theksoi se kritikat e saj kanë qenë gjithmonë ndaj qeverisë izraelite dhe veprimeve të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Rezoluta e parë, e propozuar nga republikanja Marjorie Taylor Greene javën e kaluar, u anulua nga Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve me mbështetjen e disa republikanëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.