Politikë

Britania: Takimi Trump-Putin mund të jetë hapi i parë drejt paqes në Ukrainë

- Sekretari britanik i Mbrojtjes, Healey tha se takimi midis Trumpit dhe Putinit në Alaskë mund të jetë "hapi i parë" drejt paqes në Ukrainë.

Zuhal Demirci  | 15.08.2025 - Përdıtësım : 15.08.2025
Britania: Takimi Trump-Putin mund të jetë hapi i parë drejt paqes në Ukrainë

Londër

LONDËR (AA) - Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey tha se takimi midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin në Alaskë mund të jetë "hapi i parë" drejt paqes në Ukrainë, transmeton Anadolu.

Healey në një deklaratë për kanalin "Sky News" tha se luftërat në fund të fundit mund të përfundojnë vetëm përmes diplomacisë dhe shprehu shpresë për takimin Trump-Putin.

Ai vuri në dukje se takimi i sotëm do të jetë vetëm një nga një seri takimesh të mundshme.


- "Gjëja e rëndësishme është se ky është hapi i parë në çdo negociatë"

Në pyetjen nëse është optimist për samitin dhe a do të ketë përparim drejt paqes, sekretari Healey tha:

"Do të shohim se si do të përparojnë bisedimet, por gjëja e rëndësishme është se ky është hapi i parë që hidhet në çdo negociatë. Vendimet në lidhje me Ukrainën duhet të merren në bashkëpunim me Ukrainën. Këto vendime nuk mund të merren pa Ukrainën. Një nga kushtet kryesore që negociatat të zhvillohen vërtet është vendosja e një armëpushimi të plotë, i cili krijon hapësirë për diplomaci. Kjo krijon hapësirë për negociata. U jep të gjithëve shans më të mirë për t'i dhënë fund konfliktit dhe më pas, për të arritur paqe afatgjate dhe të sigurt".

Takimi Putin-Trump pritet të fillojë rreth orës 11:00 sipas orës lokale. Në takim është planifikuar të trajtohen marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe ndërkombëtare dhe veçanërisht zgjidhja e krizës së Ukrainës.

Programi përfshin gjithashtu konferencë të përbashkët për media midis dy udhëheqësve pas takimit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.