Betohen 10 deputetë të rinj serbë në Kuvendin e Kosovës
Pas betimit si deputetë të rinj në këtë legjislaturë të Kuvendit, nëntë deputetët e Listës Serbe lëshuan sallën, por deputeti Zvelko Velkoviq vazhdoi të qëndrojë në sallë

Prishtinë
Janë zëvendësuar 10 deputetë nga radhët e minoritetit serb në Kuvendin e Kosovës, pas dorëheqjes së deputetëve nga partia më e madhe serbe Lista Serbe, transmeton Anadolu Agency (AA).
Seanca parlamentare në Kuvendin e Kosovës ka nisur me betimin e deputetëve të rinj serbë të cilët do të zëvendësojnë deputetët nga Lista Serbe që dhanë dorëheqje në fillim të muajit nëntor.
Deputetët e rinj, Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Olivera Zdravkoviq, Milan Joksimoviq, Ksenja Bozoviq, Rados Mihajlloviq, Nenad Radenkoviq, Svetisllav Jokiq e Biljana Maksiq janë deputetët e rinj që vijnë po ashtu nga partia Lista Serbe, ndërsa Zvelko Velkoviq është i vetmi deputet i ri që vjen nga partia Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Pas betimit si deputetë të rinj në këtë legjislaturë të Kuvendit, 9 deputetët e Listës Serbe lëshuan sallën, por deputeti Zvelko Velkoviq vazhdoi të qëndrojë në sallë.
Deputetët nga minoriteti serb në Kosovë me Kushtetutë të Kosovës kanë 10 ulëse të rezervuara në Kuvendin e Kosovës.
- Lista Serbe e cilëson “vendim strategjik” betimin e deputetëve të saj të rinj në Kuvendin e Kosovës
Nëpërmjet një njoftimi për media, partia më e madhe serbe në Kosovë tha se ky veprim ka qenë “strategji për të penguar planin" e kryeministrit Albin Kurti dhe "kolaboracionistëve të tij që ta ndryshojnë Kushtetutën”.
“Vendimi i sotëm strategjik pengoi drejtpërdrejt realizimin e planit të Albin Kurtit dhe kolaboracionistëve të tij që ta ndryshojnë Kushtetutën dhe ligjet me të cilat garantohen të drejtat e popullit serb në Kosovë. Synimi i Kurtit dhe Rada Trajkoviqit, e të tjerëve si ajo, është që të votonin ndryshimet Kushtetuese që do të çonin në shfuqizimin e komunave serbe, marrjen e pronave nga Kisha Ortodokse Serbe, heqjen e gjuhës serbe dhe të drejtat e përfaqësimit në institucione”, ka shkruar në reagim Lista Serbe.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, nëntë deputetë të rinj të Listës Serbe dhe një nga Nisma Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhanë betimin, duke zëvendësuar dhjetë deputetë të Listës Serbe që dhanë dorëheqje këtë muaj.
Megjithëkëtë, Lista Serbe ka deklaruar se nuk do të ndalë procesin e largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës në komunat veriore.
“Në fund, duam të theksojmë, se qëllimi ynë është të mbrojmë popullin tonë, paqen dhe sigurinë, por edhe të mos lejojmë Kurtin e Rada Trajkoviqin, të vendosin për jetët tona”, ka shkruar Lista Serbe.
Në ndërkohë, ka reaguar edhe politikania serbe në Kosovë, Rada Trajkoviq, e cila në rrjetet sociale ka shkruar se Lista Serbe ka marrë nëntë mandatet e reja për të penguar hyrjen e saj në Kuvendin e Kosovës dhe për "t’ia pamundësuar komunitetit serb në Kosovë që përfundimisht të ketë përfaqësues të vërtetë politikë".
Rada Trajkoviq ka qenë kandidate për deputete në listën e Iniciativës Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe publikisht ka shprehur gatishmërinë e saj për të pranuar mandatin e deputetes nëse i besohet, sepse mendon se ekziston rreziku më i madh që të mos ketë fare përfaqësues të serbëve në Kuvendin e Kosovës.
Më 7 nëntor, dhjetë anëtarë të Listës Serbe kanë dorëzuar zyrtarisht dorëheqjet e tyre të parevokueshme në Kuvendin e Kosovës, pasi më 5 nëntor të gjithë zyrtarët serbë u tërhoqën nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, si dhe nga të gjitha institucionet në veri të Kosovës, përfshirë policinë, gjyqësorin e administratën.
Me kërkesë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) miratoi rekomandimin me emrat e kandidatëve që duhet të zëvendësojnë deputetët e dorëhequr.
Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës pasoi pas fillimit të zbatimit të marrëveshjes me tre faza të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale që qarkullojnë kryesisht në komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, si dhe pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi zbatimin e vendimit të Qeverisë.
Qeveria e Kosovës mori vendim që prej 1 nëntorit deri më 21 nëntor veturat me targa ilegale që ende qarkullojnë në territorin e Kosovës do të marrin fleta qortuese në kuadër të fazës së parë të vendimit. Në fazën e dytë, Qeveria parasheh që nga 21 nëntori, deri më 21 janar 2023 të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë më targa tjera përpos atyre “RKS”.