BE rikonfirmon kundërshtimin ndaj ndryshimeve demografike apo territoriale në Gaza
- Zëdhënësi i Komisionit Evropian tha se pozicioni i bllokut "nuk ka ndryshuar" dhe theksoi se bazohet në të drejtën ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 2735 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Bruksel
BRUKSEL (AA) - Bashkimi Evropian (BE) ka rikonfirmuar kundërshtimin e vendosur ndaj çdo ndryshimi demografik apo territorial në Rripin e Gazës dhe ka shprehur mbështetjen për bashkimin e Gazës me Bregun Perëndimor të pushtuar nën Autoritetin Palestinez, transmeton Anadolu.
Duke folur gjatë një konference për media në Bruksel, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni, tha se pozicioni i bllokut evropian "nuk ka ndryshuar" dhe theksoi se bazohet në të drejtën ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 2735 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
"BE-ja refuzon çdo përpjekje për ndryshime demografike apo territoriale në Rripin e Gazës dhe mbështet bashkimin e Gazës me Bregun Perëndimor nën Autoritetin Palestinez", tha ai.
El Anouni gjithashtu përmendi komentet e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në nëntor të vitit 2023, duke theksuar se Gaza është "një pjesë thelbësore e shtetit të ardhshëm palestinez" dhe se "nuk duhet të ketë zhvendosje të detyruar të palestinezëve".
Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë në Gaza të paktën 57.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pandërprera kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar mungesa të ushqimit dhe përhapje të sëmundjeve.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën ndaj enklavës palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.