Politikë

"Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO nuk mund të përparojë nëse nuk përmbushen shqetësimet e Ankarasë"

Shqetësimet e sigurisë të anëtarëve të NATO-s duhet të trajtohen në një “mënyrë të drejtë”, theksoi zëdhënësi presidencial i Turqisë

Jeyhun Aliyev, Merve Gül Aydoğan Ağlarcı  | 25.05.2022 - Përdıtësım : 26.05.2022
"Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO nuk mund të përparojë nëse nuk përmbushen shqetësimet e Ankarasë" Foto: Ali Balıkçı / AA

Ankara

Turqia ia ka bërë të qartë Suedisë dhe Finlandës gjatë takimit në kryeqytetin Ankara se synimi i tyre për anëtarësim në NATO nuk mund të përparojë nëse shqetësimet e sigurisë së Ankarasë nuk plotësohen përmes hapave konkretë dhe një afati të caktuar kohor, tha sot zëdhënësi presidencial turk, İbrahim Kalın, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke vënë në dukje se PKK, YPG dhe PYD janë të gjitha të njëjtat grupe terroriste, Turqia ua përcolli pritjet e saj për këtë çështje delegacioneve nga Suedia dhe Finlanda gjatë takimit, tha Kalın në një konferencë shtypi pas takimit konsultativ me dyer të mbyllura që zgjati gati pesë orë.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG/PYD është dega siriane e PKK-së.

Turqia pret “zbatimin e saktë” të parimeve dhe procedurave të takimit të NATO-s të vitit 1999 lidhur me procesin e anëtarësimit në aleancë, shtoi Kalın.

Ai nënvizoi se Ankaraja u ka bërë kërkesa ekstradimi Suedisë dhe Finlandës gjatë dhjetë viteve të fundit.

Shqetësimet e sigurisë të anëtarëve të NATO-s duhet të trajtohen në një “mënyrë të drejtë”, theksoi Kalın.

Delegacioni turk në takim kryesohej nga Kalın dhe zëvendësministri i Jashtëm Sedat Onal.

Pjesëmarrës në takim ishin Sekretari i Shtetit i Suedisë për Punët e Jashtme dhe Sigurinë Oscar Stenstrom dhe Sekretari i Përhershëm i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme të Finlandës Jukka Salovaara, së bashku me delegacionet e tyre.

Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’iu bashkuar NATO-s javën e kaluar, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.

Por Turqia, anëtare e vjetër e aleancës, ka shprehur kundërshtime ndaj aplikimeve të tyre për anëtarësim, duke kritikuar shtetet nordike për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın