Politikë

Aleati i Dodikut fiton në zgjedhjet e parakohshme presidenciale në entitetin me shumicë serbe të Bosnjës

Sinisha Karan kryeson me 50.89 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme për president të entitetit të Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë

İsmail Özdemir  | 24.11.2025 - Përdıtësım : 25.11.2025
Aleati i Dodikut fiton në zgjedhjet e parakohshme presidenciale në entitetin me shumicë serbe të Bosnjës

Sarajevë

Sinisha Karan, i konsideruar gjerësisht si aleat i ngushtë dhe pasardhës i zgjedhur me kujdes i ish-presidentit Milorad Dodik, i cili u hoq nga detyra për shkak të politikave të tij separatiste, fitoi në zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Republikën Sërpska, entitetin me shumicë serbe brenda Bosnjë e Hercegovinës (BeH), treguan rezultatet paraprake të dielën, raporton Anadolu.

Votimi filloi në orën 7 të mëngjesit sipas orës lokale dhe përfundoi në orën 7 të mbrëmjes në 2.211 qendra votimi në Republikën Sërpska dhe jashtë vendit. Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës (CIK) tha se morën pjesë 443.472 nga më shumë se 1.2 milion votues të kualifikuar.

Sipas kryetarit të CIK-ut, Jovan Kalaba, rezultatet paraprake tregojnë se Karan, ministri i zhvillimit shkencor dhe teknologjik dhe arsimit të lartë dhe ish-ministri i brendshëm në qeverinë e Republikës Sërpska, i mbështetur nga partia Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur e Dodikut, kryeson garën.

Karan mori 50.89 për qind të votave, i ndjekur nga Branko Blanusha i Partisë Demokratike Serbe, i cili mori 47.81 për qind. Me 92 për qind të fletëvotimeve të numëruara, Karan ka marrë 200.116 vota ndërsa Blanusha 188.010 vota, sipas Kalabas.

Dodiku e pranoi fitoren e Karanit dhe e përgëzoi atë, duke vënë në dukje pjesëmarrjen e ulët të votuesve. Duke shpallur fitoren, Karan tha se Republika Sërpska nuk përbën kërcënim për askënd dhe shtoi se "Ne do të vazhdojmë nga aty ku e lamë, me forcë më të madhe".

Megjithatë, opozita pretendon se parregullsi ndodhën në disa qytete dhe tha se do të apelonte që këto zgjedhje të përsëriten.

Shpesh herë në lajme Dodiku ka përsëritur retorikën e tij separatiste në BeH duke thënë se nuk e njeh Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), të krijuar nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit që i dha fund luftës së viteve 1992-1995 në vend dhe përfaqësuesin e lartë, Christian Schmidt.

Nën udhëheqjen e Dodikut, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska (NSRS) vendosi në qershor 2023 të mos i publikonte vendimet e përfaqësuesit të lartë Schmidt në "Gazetën Zyrtare" të entitetit.

Schmidt, i cili kishte autoritetin për të miratuar legjislacion kur ishte e nevojshme, i hodhi poshtë hapat separatistë të Dodikut dhe anuloi vendimet e marra nga NSRS. Pasi Dodiku vazhdoi qëndrimin e tij separatist, duke pretenduar se Republika Sërpska do të "shkëputet nga BeH", kundër tij u ngrit padi për "mosrespektim të vendimeve të OHR-së" dhe u kërkua dënim me burg.

Gjykata e BeH-së e dënoi Dodikun me një vit burg dhe ndalim gjashtëvjeçar për mbajtjen e posteve politike në shkurt 2025 për kundërshtimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë. Më vonë ia ndryshoi dënimin në gjobë.

Një gjykatë apeli mbështeti ndalimin gjashtëvjeçar për mbajtjen e posteve politike në gusht. Si rezultat, Dodiku u shkarkua nga pozicioni i tij si president i Republikës Sërpska.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.