Politikë

“Shqipëria i përket familjes evropiane”

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti në një takim kryetaren e Senatit të Holandës, Ankie Broekers-Knol, e cila ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri

Saimir Alija   | 05.07.2018
“Shqipëria i përket familjes evropiane”

Tiranë

TIRANË (AA) - Kryetarja e Senatit të Holandës, Ankie Broekers-Knol, tha se Shqipëria është një vend evropian dhe i përket familjes evropiane, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti në një takim kryetaren e Senatit të Holandës, Ankie Broekers-Knol, e cila ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërsa në fund të takimit dhanë një deklaratë të përbashkët për mediat, që në fokus kishte procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Kryeparlamentari Ruçi theksoi se përpjekjet e Kuvendit të Shqipërisë për thellimin e arritjeve për prioritetet kyçe të integrimit do të intensifikohen akoma më tej dhe do të prodhojnë sipas tij rezultate më të prekshme dhe më të larta.

"Vlerësova kontributin e Holandës për kryerjen e reformave, sidomos të reformës në drejtësi si një reformë unike të vendeve kandidate, suksesi i të cilës buron dhe nga kontributi i Holandës me prezencën e dy gjyqtarëve në strukturat e vettingut”, tha Ruçi.

Duke folur për qëndrimin e Holandës në çështjen e hapjes së negociatave, Ruçi tha se ajo nuk ka asnjë grimcë paragjykimi, por "ka kujdes të natyrshëm të një vendi me standarde të larta".

“Vlerësoj vëmendjen e Holandës në këtë proces të vështirë, por të domosdoshëm që Shqipëria ka përpara. Ne e kemi të qartë se na mbetet shumë për të bërë. Por ofrojmë të gjitha garancitë se në qershor 2019 do të kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë. Kuvendi i Shqipërisë ka përgatitur një axhendë për të garantuar legjitimitetin demokratik dhe kontrollin ligjor dhe politik në të gjithë procesin përgatitor për hapjen e negociatave”, tha Ruçi.

Ndërsa kryetarja e Senatit të Holandës, Ankie Broekers-Knoln, duke folur për procesin e hapjes së negociatave me BE-në, tha se ky vit për Shqipërinë do të thotë përmbushje e të gjitha detyrimeve.

“Unë jam e bindur se deri qershor 2019 ju do të keni përmbushur të gjitha detyrimet tuaja për të hapur negociatat dhe më vonë për t'u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Edhe pse ky do të jetë një vit shumë i vështirë unë mendoj që është një mundësi shumë e madhe që Shqipëria të punojë fort në mënyrë që vitin tjetër askush mos ketë më për çfarë të ankohet për atë çfarë Shqipëria ka bërë dhe ka përmbushur në lidhje me mundësinë e saj për tu bërë ndoshta në të ardhmen një vend anëtar i BE-së”, tha ajo.

Më tej gjatë fjalës së saj Ankie Broekers-Knol tha: "Si kryetare e Senatit Holandez unë jam vërtet e impresionuar nga e gjithë puna që ka bërë Shqipëria deri tani. Dhe sidomos do të veçoja të gjithë punën e bërë me Reformën në Drejtësi, me procesin e vetting-ut, i cili është vërtet një proces unik dhe është i vlefshëm për të gjithë. Mendoj se Shqipëria ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë në këtë drejtim".

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, kryetarja e Senatit të Holandës do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të vendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın