‘Mjekët kundër Gjenocidit’ i bëjnë thirrje administratës së Trumpit që t’i japë fund urisë në Gaza
- Mjekë, infermierë dhe profesionistë të tjerë mjekësorë, së bashku me kongresmenen Rashida Tlaib, u mblodhën në Trekëndëshin e Dhomës së Përfaqësuesve në Capitoll Hill për të kërkuar që t’i jepet fund urisë dhe vrasjeve në Gaza

Washington DC
WASHINGTON (AA) - Koalicioni global ‘Mjekët kundër Gjenocidit’ (DAG) i kanë bërë thirrje administratës amerikane të presidentit Donald Trump që t’i japë fund urisë dhe vrasjeve në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
Mjekë, infermierë dhe profesionistë të tjerë mjekësorë, së bashku me kongresmenen Rashida Tlaib, u mblodhën në Trekëndëshin e Dhomës së Përfaqësuesve në Capitoll Hill për të kërkuar edhe heqjen e Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), të mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli.
“Ne jemi këtu për t’ju thënë, pa kërkuar falje, se ajo që po ndodh në Gaza është një gjenocid. Dhe, qeveria e SHBA-së po ndihmon për ta financuar atë me dollarët e taksave amerikane”, tha Dr. Nidal Jboor, bashkë-themelues i koalicionit DAG.
Ai theksoi se fëmijët po lihen të uritur dhe po qëllohen për shkak se përpiqen të marrin pak bukë, ndërsa kishat dhe xhamitë po bombardohen.
“Mjekët në terren në Gaza po na paralajmërojnë. Brenda orësh dhe ditësh, qindra mijëra mund të vdesin nga uria e detyruar, e shkaktuar nga njeriu. Kjo nuk është një krizë që digjet ngadalë. Kjo është një ngjarje masive vdekjeje që ndodh në kohë reale”, tha Jboor.
Ai theksoi se fondacioni GHF “nuk është një litar shpëtimi, por është një kurth vdekjeje”.
Të nisura në Rripin e Gazës së rrethuar më 27 maj, pikat e shpërndarjes së ndihmave të fondacionit GHF, të cilat kanë edhe mbështetjen e SHBA-së, janë përshkruar si "kurthe vdekjeje" nga kritikët.
- Përdorimi i urisë si armë lufte, është një “krim lufte”
Tlaib, nga ana tjetër, tha se “regjimi i aparteidit” izraelit po e vret Gazën me uri.
“Ne duhet të veprojmë tani. Përdorimi i urisë si armë lufte është një krim lufte”, tha ajo.
Duke theksuar se e gjithë popullsia e Gazës, më shumë se 2.1 milionë njerëz, po përjeton uri dhe sëmundje, Tlaib tha se gjysmë milioni palestinezë po përballen me “nivele katastrofike të urisë”.
“Tani, forcat izraelite po qëllojnë qëllimisht dhe po i lënë të uritur palestinezët që rreshtohen për ushqim. Sipas OKB-së, mbi 1 mijë të vrarë vetëm në dy muajt e fundit”, tha Tlaib.
Ajo e quajti fondacionin GHF një “shaka çnjerëzore dhe imorale”.
“Është një mashtrim vdekjeprurës, një kurth i mbështetur nga qeveria izraelite dhe administrata e Trumpit. Madje, edhe OKB-ja e quan atë një kurth vdekjeprurës”, shtoi ajo.
Kongresmenja përsëriti thirrjen e saj për t’i dhënë fund furnizimeve ushtarake amerikane për Izraelin.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë në Gaza të paktën 59.500 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake gjithashtu ka shkatërruar enklavën, ka shembur sistemin shëndetësor dhe ka çuar në mungesa të mëdha ushqimore.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.