Bota

Zv.kryeministrja e Spanjës: Ambasada spanjolle duhet të largohet nga Tel Avivi, Palestina po na pret

Duke theksuar se ambasada spanjolle duhet të largohet nga Tel Avivi, zëvendëskryeministrja spanjolle dhe ministrja e Punës dhe Ekonomisë Sociale, Yolanda Diaz, tha se Spanja duhet të kishte bërë më shumë për të ndaluar gjenocidin

Şenhan Bolelli  | 08.09.2025 - Përdıtësım : 08.09.2025
Zv.kryeministrja e Spanjës: Ambasada spanjolle duhet të largohet nga Tel Avivi, Palestina po na pret

Madrid

Zv.kryeministrja spanjolle dhe ministrja e Punës dhe Ekonomisë Sociale, Yolanda Diaz, ka deklaruar se ambasada spanjolle duhet të largohet nga Tel Avivi, transmeton Anadolu.

Diaz, nga aleanca Sumar, partneri i vogël në qeverinë e koalicionit, postoi një mesazh në platformën e mediave sociale Bluesky, pasi vendi i saj njoftoi sanksione kundër Izraelit.

"Ambasada spanjolle duhet të largohet nga Tel Avivi. Palestina na pret", tha Diaz.

Lidhur me njoftimin e Kryeministrit Pedro Sanchez për vendimin e sanksioneve me nëntë pika kundër Izraelit për gjenocidin në Gaza, Diaz u shpreh: "Kjo është arsyeja pse jemi në qeveri. Ia përcollëm këtë partnerit tonë (partnerit kryesor të koalicionit, Partisë Socialiste të Punëtorëve) javën e kaluar. Vendi ynë duhet të kishte bërë më shumë për të ndaluar gjenocidin".

Diaz gjithashtu falënderoi organizatat e shoqërisë civile për mbështetjen e tyre ndaj Palestinës dhe për presionin që u bënë qeverive për të vendosur sanksione ndaj Izraelit.

Ministri spanjoll i Kulturës: Izraeli duhet të përjashtohet nga aktivitetet ndërkombëtare.

Në një intervistë me transmetuesin shtetëror spanjoll RTVE, ministri spanjoll i Kulturës, Ernest Urtasun, pjesë e aleancës Sumar, theksoi se ai i shihte vendimet e qeverisë për sanksione kundër Izraelit si shumë pozitive dhe të forta.

Urtasun deklaroi se ata kanë dashur që në paketën e sanksioneve të përfshijnë ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me Izraelin dhe tërheqjen e Ambasadores spanjolle në Tel Aviv, Ana Salomon Perez, por partneri kryesor i qeverisë ka refuzuar.

Ministri spanjoll i Kulturës tha se Izraeli duhet të përjashtohet nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare, siç është Konkursi i Këngës në Eurovision.

Në një deklaratë këtë mëngjes, Kryeministri spanjoll Sanchez njoftoi vendimin e sanksioneve me nëntë pika kundër Izraelit, duke përfshirë miratimin e dekretit mbretëror që përforcon ligjërisht embargon e armëve ndaj Izraelit dhe ndalimin e hyrjes në Spanjë të të gjithë individëve të përfshirë drejtpërdrejt në gjenocid, shkelje të të drejtave të njeriut dhe krime lufte në Rripin e Gazës.

Pas deklaratave të Sanchez, qeveria izraelite njoftoi gjithashtu se zëvendëskryeministres, ministres së Punës dhe Ekonomisë Sociale, Yolanda Diaz dhe ministres së Rinisë dhe Fëmijëve, Sira Rego (me origjinë palestineze) nga qeveria spanjolle iu ndalua hyrja në vend.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın