Palestina bën thirrje për më shumë njohje të shtetit palestinez dhe për t'i dhënë fund pushtimit izraelit
“Duhet të veprojmë për të arritur paqe, siguri dhe begati të përbashkët. Ju kërkoj ta bëni këtë pa vonesë dhe pa hezitim”, tha ministri i Jashtëm palestinez në konferencën e OKB-së mbi zgjidhjen me dy shtete.

Stamboll
Palestina i bëri thirrje sot bashkësisë ndërkombëtare që ta njohë shtetin palestinez dhe të intensifikojë përpjekjet për t’i dhënë fund okupimit shumëdekadësh të Izraelit, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë të nivelit të lartë për zgjidhjen me dy shtete në selinë e OKB-së në New York, ministri i Jashtëm palestinez Mohammad Mustafa përshëndeti vendimin e planifikuar të Francës për të njohur zyrtarisht Shtetin e Palestinës dhe u bëri thirrje edhe vendeve të tjera që të ndjekin këtë shembull pa vonesë.
“Përshëndes vendimin historik dhe të guximshëm të Francës dhe presidentit (Emmanuel) Macron për ta njohur Shtetin e Palestinës në shtator”, tha ai.
“U bëj thirrje të gjithë atyre që ende nuk e kanë bërë këtë, ta njohin Shtetin e Palestinës pa asnjë vonesë”, shtoi kryediplomati palestinez.
Mustafa kërkoi “çdo veprim për t’i dhënë fund luftës” ndaj popullit palestinez, përfshirë edhe një përfundim të menjëhershëm të okupimit izraelit, dhe theksoi nevojën për të bashkuar territoret palestineze nën një qeveri sovrane.
“Të gjithë duhet të bashkojmë Gazën dhe Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, pa okupim, pa rrethim, pa vendbanime kolone, pa zhvendosje me forcë dhe pa aneksim”, tha ai.
“Duhet të veprojmë për të arritur paqe, siguri dhe begati të përbashkët. Ju kërkoj ta bëni këtë pa vonesë dhe pa hezitim”, theksoi Mustafa.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.