Shkup
Vendet e rajonit pritën Vitin e Ri 2026 me fishekzjarrë, muzikë dhe atmosferë festive, ndërsa shumë qytetarë u mblodhën në sheshet kryesore të Shkupit, Tiranës, Prishtinës dhe kryeqyteteve të tjera për të numëruar së bashku sekondat drejt mesnatës, raporton Anadolu.
- Shkup
Pavarësisht temperaturave të ulëta, shumë qytetarë u mblodhën në Sheshin “Maqedonia” në Shkup për të pritur së bashku ardhjen e Vitit të Ri.
Atmosfera festive në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut u krijua nga një program muzikor, ndërsa qytetarët numëruan së bashku sekondat e fundit drejt mesnatës.
Ndërkohë, sheshi ishte i zbukuruar me dekorime festave dhe ndriçime shumëngjyrëshe, duke e shndërruar qendrën e qytetit në pikën kryesore të festimeve.
- Tiranë
Nata e ndërrimit të viteve në Shqipëri është shënuar me festime, ku janë organizuar koncerte dhe shfaqja tradicionale e fishekzjarrëve.
Në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit është janë organizuar evente të ndryshme, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.
Në kryeqytet, në Sheshin “Skënderbeu” është organizuar shfaqja tradicionale e fishekzjarrëve dhe koncert, nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës.
Festime janë organizuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
- Prishtinë
Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshet kryesore të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, për të festuar ndërrimin e motmoteve dhe ardhjen e Vitit të Ri me organizime të ndryshme festive.
Shumë qytetarë pritën Vitin e Ri 2026 duke parë dhe duke ndezur fishekzjarre që mbuluan për disa minuta qiellin e Prishtinës.
Sheshet e kryeqytetit duke filluar nga sheshi “Skënderbeu”, sheshi “Nënë Tereza” e sheshi “Zahir Pajaziti” janë shndërruar në qendra të festimeve tash e disa ditë, ku qytetarë të moshave të ndryshme po përcjellin programet muzikore të organizuara nga Komuna e Prishtinës, ndërsa atmosfera festive po shoqërohet me urime për shëndet, paqe dhe mirëqenie.
Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e festimeve, ndërsa zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës janë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Festimet në kryeqytet pritet të vazhdojnë deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa institucionet u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes dhe respektim të rregullave të sigurisë gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike.
- Sarajevë, Podgoricë, Beograd, Zagreb
Në Sarajevë, qytetarë dhe turistë të shumtë shijuan natën e Vitit të Ri në qendër të qytetit me muzikë. Përpara kësaj, vizitorët mundën të shijonin transmetimin e koncertit të Vitit të Ri të Orkestrës Filarmonike të Sarajevës të mbajtur në Teatrin Kombëtar nëpërmjet ekraneve LED.
Kryeqyteti i Malit të Zi, Podgorica, e priti vitin 2026 me një program në Sheshin e Pavarësisë, ku pati edhe program muzikor.
Autoritetet e qytetit të Beogradit nuk organizuan festë publike të Vitit të Ri këtë vit për arsye sigurie. Megjithatë, banorët e Beogradit dhe turistët patën mundësinë të shijonin një program të pasur brenda kompleksit "Beogradi mbi Ujë".
Një atmosferë festive mbretëronte në rrugët e Beogradit dhe u vu re edhe një numër i madh turistësh të huaj.
Si tradicionalisht, qyteti i Zagrebit organizoi festë të Vitit të Ri në sheshin qendror "Ban Josip Jelaçiq". Pjesëmarrësit shijuan muzikë nga grupe të ndryshme.
