Tradita osmane "Përshëndetja e Xhumasë" ende vazhdon në Kamerun
Pas një shfaqjeje në prani të mbretit me instrumente muzikore tradicionale dhe kuaj, ceremonia e "Përshëndetjes së Xhumasë" përfundon me lutjen e prijësit fetar
Yaounde
"Përshëndetja e Xhumasë" e sulltanëve osmanë pas namazit të xhumasë praktikohet ende nga mbreti i Bamunit, Nabil Mbombo Njoya në Kamerun.
Pas vdekjes së babait të tij, Ibrahim Mbombo Njoya, mbreti 28-vjeçar Nabil, i cili u ul në fron më 10 tetor 2021, vazhdon traditën osmane të "përshëndetjes të së premtes", ashtu si babai dhe gjyshi i tij.
Mbreti Nabil, i cili fal namazin e xhumasë në "Xhaminë Qendrore" përballë pallatit të tij në Foumban, në veriperëndim të Kamerunit, kthehet nga xhamia në pallatin e tij, duke përshëndetur popullin e tij.
Nabil, mbreti i 2 milionë Bamunëve që jetojnë në rajon, dëgjon ankesat e njerëzve dhe i shqyrton ato në ceremoninë e "Përshëndetjes së Xhumasë".
Më pas, gjatë ceremonisë së "Përshëndetjes së Xhumasë" që vazhdon në pallat, ushtarët dhe administratorët lokalë si dhe popullata ndodhen në paradën zyrtare para mbretit Nabil.

Pas një shfaqjeje në prani të mbretit me instrumente muzikore tradicionale dhe kuaj, ceremonia e "Përshëndetjes së Xhumasë" përfundon me lutjen e prijësit fetar.
"Mbretërit e Bamunit e morën traditën e "përshëndetjes së Xhumasë" nga kultura osmane"
Sociologu kamerunas, Muhammed Pagna në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) në lidhje me gjurmët osmane në Kamerun tha se Mbretëria e Bamunit, e cila u krijua shtatë shekuj më parë, u konvertua në Islam në vitet 1905-1910. Pagna tha se 85 për qind e popullit Bamun janë muslimanë.
Duke deklaruar se Islami u soll në Kamerun nga muslimanët nigerianë të cilët u bënë muslimanë falë osmanëve, Pagna tha se populli Bamun dhe mbretërit e tyre u ndikuan shumë nga kultura osmane.
"Mbretërit e Bamunit e morën traditën e përshëndetjes së Xhumasë nga kultura osmane", u shpreh Pagna.
Duke shpjeguar se kultura osmane ndikoi në shumë mënyra te mbretërit Bamun, Pagna shtoi se ai kishte një "portë të mbretit" të ndërtuar në xhamitë ku faleshin mbretërit e Bamunit, si në kulturën osmane.
"Islami u adoptua në këto rajone përmes udhëzimit dhe bindjes"
Yasin Yavuz, koordinator i Shërbimeve Fetare i Ambasadës turke në Yaounde deklaroi se Islami në Kamerun erdhi përmes Nigerisë.

Sipas tij, Islami u përhap me shpejtësi në rajonin e Saharasë, por përparoi relativisht ngadalë në rajonet malore dhe pyjore si Kameruni. Yavuz tha se Perandoria Osmane në rajon solli Islamin dhe gjithashtu edhe kulturën e saj.
Ai thotë se sulltanët dhe mbretërit në Kamerun të cilët quhen administratorë lokalë ishin shumë të ndikuar nga kultura osmane. "Imamët i lexonin hutbet e Xhumasë me shkop dhe jo me shpatë, Islami në këto rajone nuk u përvetësua me shpatë, por me mënyra të udhëzimit dhe bindjes", tha Yavuz.
Përshëndetja e Xhumasë tek Osmanët
Në periudhën osmane, sulltani zakonisht e falte namazin e xhumasë së bashku me njerëzit në një nga xhamitë ku ndodhej dhe më pas kthehej në pallatin e tij me një ceremoni të quajtur "Përshëndetja e Xhumasë".
Në ceremoninë e "përshëndetjes së Xhumasë", sulltani së bashku me zyrtarët shtetërorë që e shoqëronin, përshëndesnin popullin dhe dëgjonin problemet e tyre.
Popullata, gjatë takimit me udhëheqësin e tyre brohoriste, "Rroftë sulltani im", "Paç fat dhe jetë të gjatë", "Mos u kreno sulltani im, Allahu është më i madh se ti".
