Kulturë, BALLKANI

Shkup, mbahet Takimi i 11-të Ndërkombëtar i Poezisë Turke “Yahya Kemal Beyatlı”

Në program, poetë nga 12 vende, përfshirë Turqinë, Azerbajxhanin, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, lexuan poezitë e tyre.

Dzihat Aliju  | 19.12.2025 - Përdıtësım : 20.12.2025
Shkup, mbahet Takimi i 11-të Ndërkombëtar i Poezisë Turke “Yahya Kemal Beyatlı” Foto: Umeys Sulejman/AA

Shkup

Në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, u mbajt Takimi i 11-të Ndërkombëtar i Poezisë Turke “Yahya Kemal Beyatli”, raporton Anadolu.

Programi u realizua nga Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATUSITEB) dhe shoqata "Kopru", me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA). Në aktivitet morën pjesë kryetari i TIKA-s, Abdullah Eren, ish-kryetari i parlamentit të Turqisë (TBMM) Mustafa Sentop, përfaqësues të institucioneve turke dhe vendore, si dhe poetë e dashamirë të letërsisë.

Në një deklaratë për gazetarët, Eren tha se në program morën pjesë 30 poetë nga 12 vende të ndryshme të botës turke.

Yahya Kemali, i lindur në Shkup, “ishte një poet i madh që thoshte se ‘çdo vend ku flitet turqishtja është atdhe’ dhe na mësoi se kulturën tonë e ruajmë përmes gjuhës. Prandaj, mendoj se të gjithë kemi për detyrë morale ta mbajmë gjallë, ta zhvillojmë dhe ta vazhdojmë gjuhën turke në tokat ku ai lindi dhe u rrit”, tha Eren.

Nga ana e tij, Sentop theksoi se poezia është një derë që hapet drejt botës së brendshme të njeriut dhe një dritare drejt ndërgjegjes së shoqërisë.

“Shkupi është një qytet i ndërtuar jo me gurë e dhe, por me tinguj”, tha Sentop, duke shtuar: “Rrjedha e lumit Vardar është një tingull, heshtja e Urës së Gurit është një tingull, turma e çarshisë është një tingull tjetër. Ja, poezia i shndërron këta tinguj në kuptim”, tha Sentop.

Kryetari i MATUSİTEB-it, Tahsin Ibrahim, falënderoi TIKA-n për mbështetjen e dhënë, duke thënë: “Yahya Kemal Beyatli nuk është vetëm një poet i fuqishëm, por edhe kujtesë e qytetërimit”.

Në program, poetë nga 12 vende, përfshirë Turqinë, Azerbajxhanin, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, lexuan poezitë e tyre.

Gjithashtu, poetëve pjesëmarrës iu ndanë certifikata.

Yahya Kemal Beyatli, një nga penat më të shquara të letërsisë turke, emri i vërtetë i të cilit ishte Ahmed Agah, lindi më 2 dhjetor 1884 në Shkup.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın