Kulturë

Senegal, liqeni i cili u bë i gjelbër për shkak të reshjeve të dendura të shiut rifiton ngjyrën e tij rozë

- Liqeni Rozë 35 kilometra nga kryeqyteti Dakar dhe i njohur si "Retba" në gjuhën lokale Wolof, është kthyer përsëri në ngjyrën e tij natyrale.

Fatma Esma Arslan Özdel  | 08.07.2025 - Përdıtësım : 08.07.2025
Senegal, liqeni i cili u bë i gjelbër për shkak të reshjeve të dendura të shiut rifiton ngjyrën e tij rozë Foto: Cem Özdel / AA

Dakar

LAC ROSE (AA) - Liqeni rozë në Senegal, i cili humbi ngjyrën e tij për shkak të reshjeve të dendura, u kthye përsëri në rozë pas afërsisht 3 vitesh, raporton Anadolu.

Liqeni Rozë 35 kilometra nga kryeqyteti Dakar dhe i njohur si "Retba" në gjuhën lokale Wolof, është kthyer përsëri në ngjyrën e tij natyrale.

Duke qenë një nga liqenet më të kripura në botë dhe duke marrë nuanca rozë falë algave të quajtura "Dunaliella salina" që përmban, liqeni është i rëndësishëm si për turizmin ashtu edhe për ekonominë rajonale.

Liqeni shquhet gjithashtu për prodhimin e kripës, e cila është një burim i rëndësishëm për ekonominë senegaleze.

Çdo vit, nga liqeni nxirren afërsisht 60 mijë tonë kripë dhe 3 mijë njerëz e fitojnë jetesën nga kjo punë.

Gjatë kësaj periudhe, punëtorët sezonalë, zakonisht nga Nigeri, Mali dhe Burkina Faso, nxjerrin kripën me dorë.


- Burimi i ngjyrës rozë është një algë

Ngjyra rozë e liqenit është për shkak të përhapjes së algave të gjelbra që e duan kripën (halofile) të quajtura "Dunaliella salina".

Kjo algë mikroskopike prodhon pigment të kuq për t'u mbrojtur dhe për t'u përshtatur me mjedisin e kripur, duke i dhënë kështu liqenit një ngjyrë rozë.

Ndërsa niveli i kripësisë në liqen, i cili përmban afërsisht 400 gramë kripë për litër, ulet, algat në fjalë bëhen të paafta për të prodhuar pigment dhe liqeni fillon të marrë ngjyrë të gjelbër.

Liqeni Rozë, i cili është në listën e kandidatëve për Trashëgimi Botërore të UNESCO-s, ka qenë në "kërkim" të ngjyrës së tij rozë që nga viti 2022.


- I "gjelbëruar" nga shirat e rrëmbyeshëm

Reshjet e dendura të shiut në Dakar dhe zonat përreth tij në vitin 2022 shkaktuan përmbytje dhe ujërat në zonat e fatkeqësisë nuk u tërhoqën për javë të tëra.

Si mjet i fundit, ujërat e përmbytjes u derdhën direkt në Liqenin Rozë dhe niveli i ujit në liqen u rrit nga 3 metra në 6 metra. Rritja e nivelit të ujit uli gjithashtu përqendrimin e kripës në liqen, duke i penguar algat të prodhonin pigmente të kuqe.

Jo vetëm që liqeni u bë më i gjelbër, por edhe turizmi dhe aktivitetet e nxjerrjes së kripës në rajon u prekën negativisht nga kjo situatë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın