Regjisori turk Kaplanoğlu nderohet me një çmim të posaçëm në festivalin e filmit “Vëllezërit Manaki”
“Këtë çmim ia dedikoj Fatima Hassouna-s, regjisores që u vra nga forcat izraelite. Në emër të saj, në emër të fëmijëve, grave dhe të gjithë civilëve të pafajshëm që vuajnë gjenocidin në Gaza”, tha Kaplanoğlu

Manastir
Regjisori i famshëm turk, Semih Kaplanoğlu, është nderuar me çmimin e posaçëm “Kamera e Artë 300” për kontributin e shquar në kinematografinë botërore në Festivalin e 46-të Ndërkombëtar të Filmit “Vëllezërit Manaki”, i cili tradicionalisht mbahet në Manastir, raporton Anadolu.
Festivali i filmit, që këtë vit mbahet për herë të 46-të në Qendrën Kulturore në Manastir në nder të vëllezërve Manaki të cilët konsiderohen regjisorët e parë në Ballkan, filloi me ecje në tapetin e kuq.
Në festival morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut, drejtori i përgjithshëm i Kinematografisë në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Birol Güven, kryetari i Komunës së Manastirit, Toni Konjanovski, si dhe artistë dhe të ftuar të shumtë.
“Festivali ka mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit”
Güven në fjalën e tij tha se Turqia e vlerëson festivalin “Vëllezërit Manaki”.
“Jemi dy vende shumë të afërta. Festivali ka mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Jemi këtu me filmin tonë të nominuar për çmimin ‘Oscar’. Semih Kaplanoğlu do të marrë një çmim. Erdhëm së bashku me producentët tanë të rinj. Jemi afër (me Maqedoninë e Veriut) dhe jemi këtu për t’u afruar edhe më shumë”, tha Güven.
Konjanovski, nga ana tjetër, tha se Manastiri si një qytet kulturor dhe tradicional ka ruajtur trashëgiminë e lënë nga vëllezërit Manaki për më shumë se një shekull.
Ndërkaq, drejtori i festivalit “Vëllezërit Manaki”, Dimitrija Doksevski, theksoi se ai ishte prezantues në të njëjtin festival 19 vjet më parë. Ai gjithashtu shprehu shpresë se pjesëmarrësit do ta shijojnë festivalin 7-ditor.
“Rrofshin vëllezërit Manaki”, u shpreh ai.
Kaplanoğlu ua dedikoi çmimin e tij atyre që po vuajnë gjenocidin në Gaza
Skenaristi, regjisori dhe producenti turk Kaplanoğlu, autor i filmave “Veza”, “Qumështi”, “Mjalti”, “Gruri” dhe “Përkushtimi i Hasanit”, u nderua me çmimin e posaçëm “Kamera e Artë 300” për kontributin e shquar në kinematografinë botërore, i cili më parë u është dhënë figurave kryesore në industrinë botërorer të filmit, përfshirë Catherine Deneuve, Juliette Binoche, Bruno Ganz, Milço Mançevski, Jiří Menzel dhe Andrei Konchalovsky.
Regjisorit Kaplanoğlu çmimi iu dha nga kryetari i Komunës së Manastirit, Konjanovski.
Kaplanoğlu shprehu kënaqësinë e tij që ndodhej në Manastir, qytetin e lindjes së vëllezërve Manaki. Ai tha se është një nder i madh për të që të nderohet me një çmim në këtë festival filmi.
“Ky çmim është simbol i përpjekjeve tona kolektive. Këtë çmim ia dedikoj Fatima Hassouna-s, regjisores që u vra nga forcat izraelite. Në emër të saj, në emër të fëmijëve, grave dhe të gjithë civilëve të pafajshëm që vuajnë gjenocidin në Gaza”, tha Kaplanoğlu.
Regjisori i famshëm turk Kaplanoğlu çmimin e posaçëm që fitoi në festivalin e filmit “Vëllezërit Manaki” ia dedikoi atyre që vuajnë gjenocidin në Gaza
Festivali do të shfaqë filmin turk “Një nga ditët kur vdiq Hemme”, i nominuar për çmimin ‘Oscar’
Festivali, i cili do të presë një sërë ngjarjesh si seminare dhe punëtori, këtë vit do të prezantojë 70 filma.
Dita e dytë e festivalit përfshin shfaqjen e filmit “Gruri” të regjisorit Kaplanoğlu dhe filmit turk, të nominuar për çmimin ‘Oscar’, “Një nga ditët kur vqiq Hemme”.
Festivali i 46-të Ndërkombëtar i Filmit “Vëllezërit Manaki” do të zgjasë deri më 26 shtator.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.