Kulturë

Portreti i Gustav Klimt shitet me një çmim rekord për 236.4 milionë dollarë

Portreti i Elisabeth Lederer bëhet vepra e dytë më e shtrenjtë e artit e shitur ndonjëherë në ankand

Necva Taştan Sevinç  | 19.11.2025 - Përdıtësım : 19.11.2025
Portreti i Gustav Klimt shitet me një çmim rekord për 236.4 milionë dollarë Foto: Arkiv / AA

Istanbul

Portreti i artistit austriak, Gustav Klimt u shit për 236.4 milionë dollarë në Sotheby's, duke u bërë vepra e dytë më e shtrenjtë e artit e shitur ndonjëherë në ankand dhe duke vendosur rekord të ri për artistin, transmeton Anadolu.

Portreti i Elisabeth Lederer (1914) u bë vepra më e vlefshme e artit modern e shitur ndonjëherë në ankand, sipas artnet. Piktura e vlerësuar në 150 milionë dollarë, u ofrua gjatë një shitjeje mbrëmjeje që paraqiste më shumë se 20 vepra nga pasuria e Leonard A. Lauder.

Oferta filloi në 130 milionë dollarë dhe zgjati afërsisht 20 minuta, me rritje fillimisht në 2 milionë dollarë dhe më vonë 5 milionë dollarë.

Lauder e bleu portretin në vitin 1985 nga Galeria Serge Sabarsky. Elisabeth Lederer ishte vajza e Serena dhe August Lederer, ndër klientët më të rëndësishëm të Klimtit. Klimt krijoi tre portrete në tre breza të familjes Lederer; Portreti i Serena Lederer (1899) mbahet nga Muzeu Metropolitan i Artit ndërsa portreti i Elisabeth është i njohur për butësinë e tij dhe motivet perandorake kineze pas figurës.

Rezultati e tejkalon rekordin e mëparshëm të Klimtit në ankand të vendosur në vitin 2023 kur "Dame mit Facher" (Zonja me një erashkë) u shit për 108.8 milionë dollarë në Londër.

Çmime më të larta janë regjistruar në shitjet private, përfshirë blerjen e raportuar prej 187 milionë dollarësh të "Wasserschlangen II" (Gjarpërinjtë e Ujit II) nga miliarderi rus Dmitry Rybolovlev në vitin 2012 dhe shitjen private prej 150 milionë dollarësh të Portretit të Adele Bloch-Bauer II nga Oprah Winfrey në vitin 2016.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın