Një nga poçarët e fundit në Veles po lufton për ta ruajtur zanatin dhe për t'ua trashëguar brezave të ardhshëm
"Dashuria ime për poçarinë është shumë e rastësishme dhe mund të them shumë e paparashikueshme, nuk e imagjinoja kurrë se do ta bëja këtë, askush në familjen tonë nuk ishte i përfshirë në këtë zanat shekullor", tha Goce Stançev për Anadolu

Veles
VELES (AA) - AIDA CAKO - Qyteti i Velesit në Maqedoninë e Veriut, një qytet me traditë të pasur në poçari, sot ka vetëm tre mjeshtra aktivë dhe kjo zeje, e cila dikur ishte një tipar i dallueshëm i qytetit, është në prag të zhdukjes.
Goce Stançev, 45-vjeç, një nga poçarët e fundit në Veles, po përpiqet ta ringjallë dhe ta ruajë këtë aftësi të lashtë dhe punon pa u lodhur me gruan e tij për ta mbajtur gjallë traditën.
"Dashuria ime për poçarinë është shumë e rastësishme dhe mund të them shumë e paparashikueshme, nuk e imagjinoja kurrë se do ta bëja këtë, askush në familjen tonë nuk ishte i përfshirë në këtë zanat shekullor", tha Stançev për Anadolu, i cili vendosi t'i përkushtohej poçarisë pothuajse dy dekada më parë.
Ai e zbuloi dashurinë ndaj zanatit në punëtorinë e një mjeshtri të ndjerë nga Velesi, ku ndjeu për herë të parë "magjinë" e qeramikës.
Që atëherë, së bashku me gruan e tij, ai i është përkushtuar të mësuarit dhe transmetimit të zanatit.
Sot, punëtoria e tyre prodhon një shumëllojshmëri produktesh, nga suveniret dhe qeramika e përdorshme, deri te sendet dekorative për oborret.
- Procesi i të mësuarit është i vështirë
Poçaria është e njohur për procesin e saj të gjatë dhe të mundimshëm, nga nxjerrja dhe përpunimi i deltinës, deri te formësimi dhe pjekja e shumëfishtë.
"Është një zanat që është më i vështiri për t'u mësuar dhe për t'u bërë. Procesi është i gjatë, je i ekspozuar ndaj përpjekjeve fizike gjatë gjithë kohës", thotë Stançev.
Ai shton se je vazhdimisht në pasiguri, sepse ekziston rreziku që produkti të shtrembërohet ose të çahet gjatë pjekjes ose tharjes.
- "Poçari për Velesin është si themeli i një shtëpie"
Edhe pse Velesi dikur ishte qendra e qeramikës në Maqedoninë e Veriut, sot situata është alarmante. Ka vetëm tre mjeshtra në qytet, dhe mezi një duzinë në gjithë vendin. Sipas Stançevit, të rinjtë pothuajse nuk janë të interesuar ta mësojnë zanatin.
"Në 17 vitet e ekzistencës sime në punëtori, asnjë i ri nuk ka ardhur të kërkojë, të jetë i interesuar të punojë", tha ai.
Ai thotë se punëtoria e tyre është gjithmonë e hapur për ata që duan ta mësojnë zanatin, sepse pa pasardhës, kjo traditë do të zhduket.
"Ne do të luftojmë për aq kohë sa të ekzistoj që ky zanat të mbijetojë dhe t'ua kalojmë brezave të ardhshëm, sepse poçaria për Velesin është si themeli i një shtëpie. Shtëpia është e pavlerë nëse nuk ka një themel të shëndoshë", tha Stançev.
Historia dëshmon se Velesi është i njohur për poçarinë që nga shekulli i 19-të, kur qyteti kishte rreth 40 punëtori poçarie.
Një rol veçanërisht të rëndësishëm në zhvillimin e këtij zanati luajti familja Levkov, e cila në atë kohë hapi një fabrikë për qeramikë artistike dhe eksportoi produkte në gjithë Evropën.
Sot, dëshmi të mjeshtërisë së tyre mund të gjenden në dekorimet arkitekturore në qytete si Zagrebi.
- Zanati ka një të ardhme nëse investohet përpjekje dhe kreativitet
Stançev është gjithashtu kryetar i organizatës qytetare "Razboj" (Tezgjah) nga Velesi, e cila punon për promovimin e zanateve tradicionale për dy dekada.
Punëtoritë, megjithëse jetëshkurtra, synojnë të zgjojnë kuriozitetin tek të rinjtë.
Pavarësisht sfidave, ai është i bindur se poçaria ka potencialin të mbijetojë nëse bëhen përpjekje dhe kreativitet.
"Edhe nëse do të kishte 20 poçarë tani, më duket se do të kishte punë për të gjithë", thotë ai, duke dërguar një mesazh se kjo aftësi shekullore meriton jetë dhe njohje të re.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.