Muzeu i Qytetërimeve Islame bashkon traditën me teknologjinë dhe tërheq vizitorë
Muzeu, që vepron nën Presidencën e Pallateve Kombëtare, në periudhë të fundit u bë objekt vëmendjeje për publikun, duke ekspozuar për herë të parë objekte të rralla dhe përmes infrastrukturës teknologjike që bashkon traditën me të modernen
Stamboll
STAMBOLL (AA) - Muzeu i Qytetërimeve Islame, i vendosur në Kompleksin e Xhamisë së Madhe Camlica, bashkon trashëgiminë tradicionale me teknologjinë e së ardhmes.
Muzeu, që vepron nën Presidencën e Pallateve Kombëtare, në periudhë të fundit u bë objekt vëmendjeje për publikun, duke ekspozuar për herë të parë objekte të rralla dhe përmes infrastrukturës teknologjike që bashkon traditën me të modernen.
Në koleksionin e tij, muzeu që pranon vizitorë nga Turqia dhe jashtë saj, përfshin relike të shenjta që i përkasin Profetit Muhamed, Kuranë të shkruar me dorë nga periudha osmane, shembuj të rrallë të artit turk të tekstilit dhe shpikje që ndriçojnë historinë e shkencës dhe teknologjisë, duke formuar një koleksion me vlerë të pazëvendësueshme.
Në qendrën që kombinon konceptin tradicional të muzeut me teknologjinë moderne, shfaqja digjitale e kupolës ka tërhequr vëmendjen e veçantë. Ekranet interaktive, që kthejnë estetikën e arkitekturës islame në një spektakël vizual, ofrojnë mundësinë për t'i njohur më afër historitë e objekteve.
Muzeu ka një seksion që përfshin kryevepra të artit tradicional, si hat, tezhip dhe ebru, ndërsa ekspozon edhe objekte të artit të qeramikës, fermanë (dekret) dhe koleksione të artit të tekstilit turk.
- "Vizitorët e xhamisë i vlerësojnë edhe ekspozitat tona"
Drejtori i muzeut, Nezih Ertug, tha për Anadolu se ka shërbyer si drejtor që nga themelimi dhe se godina e muzeut është ngritur në dy kate mbi një sipërfaqe prej rreth 11 mijë metrash katrorë.
Ai theksoi se objekte të çmuara nga depot e muzeve kryesore si Pallati Topkapi dhe Dolmabahçe, si dhe muzeve arkeologjike, po ekspozohen për herë të parë në këtë muze.
"Këto vlera i kemi grupuar në rreth 11 kategori. Objekti ynë më i vjetër përbëhet nga dokumente të shkruara mbi pergamenë nga shekulli i 6-të dhe i 7-të, të njohura si Dokumentet e Damaskut. Po ashtu kemi disa objekte të çmuara nga periudha Mamluke. Sigurisht, ekspozohen edhe objekte të rralla osmane. Materiale të fundit, kryesisht të bazuara në tekstile, gjithashtu janë pjesë e ekspozitës sonë. Për më tepër, për shkak të emrit Muzeu i Qytetërimeve Islame dhe vendndodhjes nën Xhaminë e Madhe Çamlica, ruajmë disa objekte me vlerë të veçantë që kërkojnë ndjeshmëri fetare", tha ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
